Bozdo kundërshton deklaratën e Ramës: Berati po zbrazet, jo po ripopullohet
Deputeti i Partisë Demokratike, Enno Bozdo, ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili ka pohuar se në qytetin e Beratit ka filluar kthimi i emigrantëve dhe se trendet demografike po përmirësohen.
Në një postim në Facebook, Bozdo i ka cilësuar këto deklarata si “mashtrime”, duke theksuar se realiteti në terren është krejt i kundërt. Ai është shprehur:
“Ju e dini mirë të vërtetën. Në qytete s’ka më rini, familjet po largohen, ndërsa në fshatra mungojnë jo vetëm të rinjtë, por edhe fermerët.”
Deputeti demokrat ia ka atribuar këtë situatë keqqeverisjes. Sipas tij, përgjegjës kryesor për këtë gjendje është vetë kryeministri Rama, i cili sipas Bozdo-s, “në 12 vite e ka tretur Beratin dhe gjithë Shqipërinë”, duke i detyruar kështu qytetarët të emigrojnë.
Për të mbështetur qëndrimin e tij, Bozdo ka publikuar të dhëna nga INSTAT, të cilat tregojnë një rënie të vazhdueshme të popullsisë së qarkut Berat gjatë viteve të fundit. Sipas këtyre të dhënave:
- Popullsia e qarkut ka rënë nga rreth 143,900 banorë në vitin 2013, në rreth 107,000 banorë në vitin 2024.
- Kjo shënon një tkurrje të ndjeshme nga viti në vit.
Bozdo ka akuzuar gjithashtu qeverinë për propagandë, duke theksuar se ndërkohë që qytetarët përballen me vështirësi ekonomike dhe largim masiv, qeveria përpiqet të paraqesë një realitet të ndryshëm.
