Londra në shënjestrën e Iranit, Izraeli paralajmëron kryeministrin britanik Starmer
Izraeli ka paralajmëruar kryeministrin britanik Keir Starmer se Irani ka zhvilluar raketa balistike ndërkontinentale të afta për të goditur Londrën. Sipas informacioneve, Irani ka tentuar të sulmojë bazën e përbashkët ushtarake britaniko-amerikane Diego Garcia, në Ishujt Chagos, me dy raketa. Njëra prej tyre është kapur nga një anije luftarake amerikane, ndërsa tjetra ka dështuar gjatë fluturimit, sipas burimeve qeveritare të Mbretërisë së Bashkuar të konfirmuara të shtunën në mëngjes.
Ky tentativë sulmi, i nisur nga rreth 2,400 milje larg, shënon përdorimin e parë të konfirmuar të raketave balistike me rreze të gjatë veprimi nga Teherani. Forcat Mbrojtëse Izraelite (IDF) dhe ekspertët ushtarakë perëndimorë vlerësojnë se kjo tregon se regjimi iranian disponon tani armë të afta për të goditur kryeqytetet evropiane, përfshirë Britaninë.
Të shtunën në mbrëmje, IDF theksoi se ky sulm dëshmoi për herë të parë se Irani ka armë që mund të arrijnë një distancë prej 4,000 km, duke paraqitur një kërcënim të menjëhershëm “për dhjetëra vende në Evropë, Azi dhe Afrikë”.
“E kemi thënë: Regjimi terrorist iranian përbën një kërcënim global. Tani, me raketa që mund të arrijnë Londrën, Parisin ose Berlinin”, deklaroi IDF.
Pavarsisht rëndësisë së tentativës për sulm ndaj Diego Garcias, publiku britanik nuk u informua menjëherë. Lajmi për sulmin e dështuar, i cili mendohet të ketë ndodhur në ditët e fundit, u bë publik vetëm pas raportimeve në median amerikane.
Kemi Badenoch akuzoi Kryeministrin se po përpiqej të “mbulonte të vërtetën”, ndërsa Nigel Farage u shpreh se “nuk kishte dyshim se nëse kjo histori nuk do të ishte publikuar në media, Qeveria nuk do t’ia kishte treguar publikut”.
