Trump paralajmëron tërheqjen nga lufta në Iran: Jemi afër arritjes së objektivave, Ngushtica e Hormuzit duhet të ruhet nga vendet e tjera
Publikuar më 21.03.2026 nga shekulli_admin
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se po shqyrtojnë kufizimin gradual të operacioneve të tyre ushtarake në Iran, pasi, siç u shpreh ai përmes një postimi në Truth Social, janë shumë afër arritjes së qëllimit të tyre.
Presidenti amerikan u shpreh se sulmet e përbashkëta me Izraelin kanë degraduar ndjeshëm aftësitë bërthamore, arsenalin raketor dhe forcën ushtarake të Iranit.
“Po i afrohemi shumë përmbushjes së objektivave tona, ndërsa shqyrtojmë shkurtimin e përpjekjeve tona të mëdha ushtarake në Lindjen e Mesme në lidhje me Regjimin Terrorist të Iranit. Objektivat kryesore janë:
- Degradimi i plotë i aftësisë së raketave iraniane, lëshuesve dhe gjithçkaje tjetër që lidhet me to.
- Shkatërrimi i bazës industriale mbrojtëse të Iranit.
- Eliminimi i Marinës dhe Forcave të tyre Ajrore, duke përfshirë edhe armët kundërajrore.
- Moslejimi kurrë i Iranit që t’i afrohet aftësisë bërthamore dhe gjithmonë të qenit në një pozicion ku SHBA-të mund të reagojnë shpejt dhe fuqishëm ndaj një situate të tillë, nëse ndodh.
- Mbrojtja, në nivelin më të lartë, e aleatëve tanë të Lindjes së Mesme, duke përfshirë Izraelin, Arabinë Saudite, Katarin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreinin, Kuvajtin dhe të tjerë.
”, shkroi Trump.
Duke u ndalur te Ngushtica e Hormuzit, ai tha se do të duhet që të ruhet dhe mbrohet nga vendet e tjera që e përdorin. Nëse na kërkohet, shtoi ai, do t’i ndihmojnë këto vende për ta mbajtur hapur dhe pa rrezik nga Irani.
“Ngushtica e Hormuzit do të duhet të ruhet dhe të mbikëqyret nga kombe të tjera që e përdorin atë – Shtetet e Bashkuara nuk e bëjnë! Nëse na kërkohet, ne do t’i ndihmojmë këto vende në përpjekjet e tyre për Hormuzin, por kjo nuk duhet të jetë e nevojshme pasi kërcënimi i Iranit të zhduket. Është e rëndësishme të theksohet se do të jetë një Operacion Ushtarak i lehtë për ta”, shtoi ai.
