Rama vlerëson Kinën: Progres i jashtëzakonshëm, miqësi e thelluar

Rama lavdëron Kinën: Po shënon një progres të jashtëzakonshëm

Kryeministri Edi Rama, në një episod të fundit të podkastit “Flasim”, pati si të ftuara katër vajza nga Kina: dy përfaqësuese të Ambasadës së Kinës në Shqipëri dhe dy studente. Gjatë bisedës, u theksua “miqësia e veçantë” mes Shqipërisë dhe Pekinit.

Ndërkohë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian ngrenë shqetësime për ndikimin kinez në vendin tonë, Rama shprehu qëndrime miqësore ndaj Kinës. I pyetur nga njëra prej të ftuarave, kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se marrëdhëniet mes dy vendeve, që dikur kanë qenë shumë të ngushta, tani janë miqësore.

Rama vlerësoi progresin teknologjik të Kinës dhe shprehu gatishmërinë për të thelluar shkëmbimet në fushat e arsimit dhe turizmit. Ai përmendi se po mbështet përkthimin e një libri nga kinezishtja dhe se autorja do të ftohet në Tiranë. Rama theksoi se gjuha kineze po bëhet gjithnjë e më e përhapur në botë dhe se do të ketë rëndësi të madhe në vitet e ardhshme.

Gjatë diskutimit, Rama ndau një kujtim nga vizitat e tij në Kinë, ku një zyrtar i lartë në Shanghai këndoi në shqip gjatë një darke zyrtare. Siç tregoi ai, kryetari i bashkisë së Shangait këndoi këngën “Ndër ara, fabrika e kantiere”, e cila lidhet me periudhën e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.

“Unë mbaj mend kur kemi shkuar shumë vite më parë, kur isha kryetar i bashkisë së Tiranës, edhe vajtëm edhe ishim për darkë në bashkinë e Shanghai dhe ishte kryetari i bashkisë së Shanghai dhe ai u çua dhe filloi të këndonte shqip. Dhe ne të gjithë ngelëm, thamë ‘si ka mundësi’. Dhe të gjithë ata që ishin më në moshë si ai, filluan ta shoqëronin me këngë në shqip. Ai këndoi një këngë ‘Ndër ara, fabrika, kantiere’,” tha Rama.

Më tej, kryeministri u shpreh se nga letrat që merr nga ambasada e Kinës në Shqipëri nuk ka gjetur asnjë gabim në mënyrën se si ata e shkruajnë gjuhën shqipe.

“Vajzat vijnë nga një vend që është në rrugën e një progresi marramendës. Por, pavarësisht se janë të katërta nga Republika Popullore e Kinës, kanë emra shqiptarë. Jam këtu sot me Lirën, Adrianën, Meritën dhe me Etlevën. Sepse studentët kinezë që janë të projektuar për t’u angazhuar për marrëdhëniet me Shqipërinë, kanë emra shqip. Ftesa për të pasur këto vajza kineze erdhi pasi më ka ndodhur që kur lexoj letrat që dërgon ambasada e Kinës, qofshin letra zyrtare që vijnë të përthyera apo direkt, janë perfekte se si shkruhet shqip. I jam qepur letrave për të gjetur ndonjë gabim ortografik, por nuk kam gjetur asnjë deri më tani. Sikur ne të flisnim kinezçe siç flasin këto shqip, do ishte shumë mirë…” tha ai.

Scroll to Top