Një shpërthim i fuqishëm ka tronditur zonën Ponte Galeria në Romë, duke shkaktuar shembjen e disa ndërtesave dhe panik mes banorëve.
Ngjarja ndodhi në rrugën Via Tavagnasco, ku sipas dyshimeve paraprake, shpërthimi i një bombole gazi ka shembur një pallat dhe ka dëmtuar të paktën tre banesa të tjera për shkak të fuqisë së tij.
Si pasojë e shpërthimit, muret e ndërtesave janë shkatërruar plotësisht, ndërsa inertet kanë dëmtuar edhe disa automjete të parkuara pranë.
Zjarrfikësit ndërhynë menjëherë dhe arritën të nxjerrin dy persona nga rrënojat para mbërritjes së shërbimeve të emergjencës. Operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë, pasi ka ende dyshime se persona të tjerë mund të jenë të bllokuar nën rrënoja.
Ndërkohë, rreth 70 banorë janë evakuuar dhe po qëndrojnë jashtë banesave të tyre për arsye sigurie.
