Berisha: Beteja jonë do të njohë vetëm ngjitje, do jetë e pandërprerë
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se beteja e opozitës do të vijojë pa ndërprerje dhe do të përfshijë të gjithë vendin, pas protestës së zhvilluar më 22 mars në Tiranë.
Në një konferencë me gazetarët, Berisha e cilësoi protestën si një nga reagimet më të fuqishme qytetare, duke theksuar se qytetarët nderuan në mënyrën më madhështore, solemne dhe dinjitoze ditën e parë të demokracisë.
Sipas tij, demonstrata përfaqësoi revoltën dhe zemërimin e një kombi të tërë në kushtet që ai i quan “narkodiktaturë” dhe “autokraci elektorale”. Ai u shpreh se kjo ishte një nga kryengritjet paqësore më të forta të shqiptarëve në rrugët e kryeqytetit.
“Qytetarët e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë nderuan në mënyrën më madhështore, më solemne, më dinjitoze 22 marsin, ditën e parë të demokracisë me demonstratën e tyre të fuqishme. Në kushtet e një narkodiktature, autokracie elektorale apo diktature autoritare, shqiptarët treguan dje se janë të pamposhtur nga kjo narkodiktaturë. Mendoj se me protestën e tyre përfaqësuan revoltën, zemërimin e një kombi të tërë. Kurrë më parë nuk ka qenë më e fuqishme kryengritja paqësore e shqiptarëve se sa dje në rrugët e Tiranës.
Mesazhi është i qartë: në Shqipëri, në kushtet e autokracisë dhe sundimit të Edi Ramës, nuk ka dhe nuk mund të ketë paqe dhe stabilitet. Beteja jonë do të njohë vetëm ngjitje. Ajo do përfshijë të gjithë Shqipërinë dhe do jetë e pandërprerë gjer në largimin përfundimtar të kësaj organizate kriminale me në krye Edi Ramën.
Ndaj unë kam një mirënjohje të pakufishme për të gjithë ata dhjetëra mijëra qytetarë që mbushën dje rrugët dhe bulevardet e Tiranës dhe protestuan në mënyrë dinjitoze. Shprehën zemërimin e tyre ndaj këtij regjimi,” tha Berisha.
