Administrata pushon, gjoba punon; Bizneset marrin kamatë për deklarim të vonuar ditën e pushimit
Kjo fundjavë ka qenë e zgjatur, duke përfshirë katër ditë pushim. Megjithatë, siç është theksuar shpesh, bizneset në shumicën e rasteve nuk kanë luksin të qëndrojnë pa punë për një periudhë kaq të gjatë. Ndryshe nga administrata, e cila i ka lënë vendin sistemit online dhe mund të pushojë e udhëtojë.
Megjithatë, shumë fundjava apo ditë zyrtare pushimi nuk kanë qenë të qeta kohët e fundit, edhe pse thuajse të gjitha veprimet nga biznesi mund të kryhen online. Ndonjëherë platforma vetëshërbyese nuk funksionon, ndonjëherë dokumentet për barrëlindje apo raportet e punonjësve nuk ngarkohen dot. Në raste të tjera, mungon nënshkrimi elektronik, gjë që bllokon plotësisht aktivitetin.
Këtë fundjavë të zgjatur, bizneset po shprehin ankesa se po marrin gjoba për deklarim të vonuar, pavarësisht se afati është shtyrë automatikisht për shkak se e premtja dhe e hëna ishin ditë pushimi.
Sipas ligjit të procedurave tatimore, nëse afati i deklarimit ose pagesës së taksave bie në një ditë pushimi zyrtar (ose fundjavë), afati shtyhet automatikisht në ditën e parë të ardhshme pune. Kjo do të thotë se nëse afati është të shtunën ose të dielën, ai kalon të hënën. Nëse është festë zyrtare, ai kalon në ditën tjetër pune. Nuk ka penalitete nëse veprimi kryhet në atë ditë të parë pune. Ky është një parim i përgjithshëm procedural (i cili zbatohet edhe në ligje të tjera administrative), që garanton që tatimpaguesit të mos penalizohen për ditë kur administrata nuk funksionon.
Pavarësisht kësaj, bizneset i janë ankuar portalit “Monitor” se afati i deklarimit të sigurimeve për muajin shkurt ka qenë data 20 mars, e cila ishte ditë pushimi. Edhe e hëna ka qenë ditë pushimi, kështu që afati duhej të shtyhej në datën 24, jo vetëm për dorëzimin, por edhe për pagesën. Megjithatë, subjektet raportojnë se atyre u janë shfaqur në sistem kamatëvonesat. Mesa duket, edhe vetë sistemi është “çakorduar” nga ditët e shumta të pushimit që ka pasur administrata.
Përvoja ka treguar gjithsesi, që kur ka pasur raste të tilla, gjobat janë anuluar automatikisht. Por, duhet të presim që administrata të kthehet në punë!
