Përdhosin flamurin”/ Përdorimi i anti-patriotizmit për njollosjen e protestave
Fantazia e qeverisë aktuale nuk shkon më larg se ajo e qeverisë së ish-kryeministrit Sali Berisha pas ngjarjeve të 21 janarit, duke përdorur si shembull Policini Amarildo Yzeiri.
Një grup mediash, të cilat duket se janë të orkestruara për të dëmtuar protestën e opozitës të datës 22 mars, kanë shpërndarë një video sa qesharake aq edhe me një logjikë fëmijërore. Në video shihet deputeti i PD, Xhelal Mziu, i cili gjatë një konfrontimi me policinë, aksidentalisht shkel flamurin kombëtar.
Por, historia nuk mbaron me kaq. E bukura është se flamurin, sapo ishte shkelur nga një person i cilësuar si “antikombëtar”, e ngre nga toka njëri nga policët me të cilët protestuesit ishin përplasur.
Morali i kësaj skene, e cila duket se i shërben njerëzve të paarsimuar, është mjaft i thjeshtë: “Ata që janë kundër qeverisë janë edhe kundër Shqipërisë”. Ky mentalitet, që zakonisht mbizotëron në mendjet e burokratëve të regjimeve diktatoriale, u shpreh në formën e tij më të ulët nga zv/kryeministrja e sapoemëruar, Albana Koçiu. Në një nga protestat e mëparshme, ajo akuzoi opozitarët se duan të dëmtojnë imazhin e vendit, ekonominë dhe turizmin.
Megjithatë, propaganda e thjeshtë se atdheun dhe flamurin i duan vetëm ata që janë në pushtet nuk është një shpikje origjinale e qeverisë aktuale. Edhe në këtë aspekt, ata nuk shkojnë më larg se fantazia e kufizuar e Sali Berishës.
Ky skenar, me policin që ruan nderin e flamurit, është pothuajse identik me atë të përdorur nga Berisha në datën 21 janar. Pas protestës së dhunshme dhe katër viktimave, në përpjekje për të larguar vëmendjen dhe për të njollosur opozitën e atëhershme socialiste, Berisha përdori historinë e policit Amarildo Yzeiri, i cili ngriti nga toka një flamur kombëtar, që pretendohej se ishte shkelur nga mbështetësit e Edi Ramës para kryeministrisë.
Madje, pasi këto pamje u përdorën gjerësisht nga mediat e atëhershme pro-qeveritare, Berisha e priti Yzeirin në kryeministri dhe mori prej tij flamurin, nderin e të cilit kishte ruajtur ky polic.
“Në një moment të caktuar një hor, një rrugaç, një bandit, që flamurin kombëtar e kishte për leckë, e vërviti atë tek këmbët e policëve. Amarildo e mori flamurin dhe e ngriti. Flamuri i kombit nuk mund të ishte kurrë një leckë që të flakej,” tha atëherë Berisha para kamerave.
Për këtë veprim, kur socialistët erdhën në pushtet, ata ndëshkuan policin Amarildo. Në nëntor 2013, ai u transferua nga forcat speciale në detyrën e rojes së thjeshtë objekti në komisariatet e Policisë së Tiranës.
Megjithatë, historia që dikur socialistët e kundërshtuan, sot është kthyer prej tyre me besim. Edhe ata kanë gjetur një “Amarildo” të ri që ruan flamurin, për të ringjallur përrallën se opozitat janë “anti-kombëtare”, pikërisht si Berisha para një dekade e gjysmë.
