Lubonja: Zvarritja e çështjes “Balluku” favorizon mbulimin e krimit
Analisti Fatos Lubonja, duke folur në emisionin “Studio24”, u shpreh lidhur me çështjen Balluku, pas marrjes së miratimit nga GJKKO për SPAK-un për të ekzaminuar pajisjet elektronike të sekuestruara pranë bizneseve dhe bashkëpunëtorëve të ish-zv.kryeministres. Lubonja theksoi se nëse ka prova në vend, ato drejtohen më shumë kundrejt kryeministrit Rama sesa ndaj Ballukut apo të tjerëve.
Ai kritikoi qasjen e SPAK-ut në këtë çështje, duke shtuar se zvarritja e saj i shërben mbulimit të veprimeve të paligjshme.
“Kam qenë i mendimit se drejtësia nuk mund të realizohet vetëm me një institucion, kur të gjitha institucionet e tjera duhet të punojnë në të njëjtin drejtim, si një flotë. Mendoj se, duke e zgjeruar këndvështrimin, jam dakord që SPAK nuk ka vepruar siç duhet. Edi Rama, në fund të fundit, tha ‘të vijnë të na japin prova’. Nëse ka prova këtu, ato janë për Edi Ramën, më shumë sesa për Ballukun dhe për të gjithë të tjerët. SPAK nuk e ka thirrur asnjëherë. Edhe çështjen e imunitetit, nuk e trajtoi në fillim, por e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese. Nuk diskutohet që SPAK ka një kufizim nga politika.
T’i drejtohemi opozitës. Ajo ka problemat e veta; me një pjesë të oligarkëve ka bashkëpunuar dhe nuk dëshiron që ata të dalin në pah. Dhe, në një farë mënyre, ne kemi thënë që shumica po përpiqet ta bëjë drejtësinë të pavarur nga politika. Drejtësia realizohet kur punojnë të gjitha institucionet.
Kjo zvarritje, kjo situatë e krijuar, është në favor të mbulimit të krimit. Oligarkët, emrat e të cilëve nuk dalin, janë më të fuqishëm se ministrat. Një nga argumentet është se këtu po zhvillohet një luftë brenda Partisë Socialiste, një luftë e brendshme. Ndërsa opozita, në këtë rast, sipas mendimit tim, ky Ulaj që doli në Rjoll, nuk ka folur për këtë. nuk ka folur kurrë Berisha për banorët e Rjollit,” – përfundoi Lubonja.
