Dështimi i Reformës së Drejtësisë në Itali: Meloni Pranë Humbjes

Në referendum gati 54 për qind votuan kundër. Sa e pengon Melonin dështimi i reformës në drejtësi?

Reforma e drejtësisë, e planifikuar nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni, ka dështuar. Në referendum, rreth 54 për qind e italianëve votuan kundër saj, ndërsa vetëm rreth 46 për qind votuan pro.

Kryeministrja Meloni ka pranuar humbjen, duke thënë përmes një videoje në Instagram: “Italianët vendosën. Dhe ne do ta respektojmë këtë vendim.” Kryetarja e partisë Fratelli d’Italia e cilësoi rezultatin e referendumit si një “mundësi të humbur për modernizimin e Italisë”, por theksoi se do të vazhdojë “punën për të mirën e kombit”.

Para referendumit, Meloni kishte përjashtuar mundësinë e marrjes së përgjegjësive personale në rast humbjeje. Reforma ishte një nga projektet kryesore të qeverisë italiane dhe parashikonte ndryshime në disa nene të Kushtetutës italiane. Një nga pikat kryesore ishte ndarja e karrierave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, siç është praktikë në shumicën e vendeve evropiane. Gjithashtu, parashikohej krijimi i organeve të reja të vetëqeverisjes për gjyqtarët dhe prokurorët, ku parashikohej pjesëmarrja edhe e parlamentit, duke i dhënë kështu më shumë ndikim politik në vendimet për personelin.

Kundërshtarët shohin rrezik për pavarësinë e drejtësisë

Meloni dhe aleatët e saj e konsideronin këtë reformë si një hap drejt pavarësisë më të madhe të gjyqtarëve dhe prokurorëve nga ndikimet politike dhe drejt një sistemi më efikas të drejtësisë. E djathta italiane ka pretenduar prej dekadash se pjesë të konsiderueshme të drejtësisë janë të anuar nga e majta. Kundërshtarët, kryesisht opozita italiane, paralajmëruan për një ndërhyrje në pavarësinë e drejtësisë. Ata akuzuan Melonin se synonte të rriste ndikimin e saj mbi sistemin gjyqësor, duke vënë në dukje se sidomos prokuroria mund të bëhej pre e ndikimit politik, ndërkohë që problemet strukturore si zgjatja e proceseve gjyqësore dhe mbipopullimi i burgjeve do të mbeteshin të pazgjidhura.

Për Melonin, rezultati është një humbje e rëndë, vetëm një vit e gjysmë para zgjedhjeve të rregullta parlamentare. Referendumi konsiderohej gjithashtu si një test për zgjedhjet e planifikuara për vjeshtën e vitit 2027. Profesori i së drejtës kushtetuese, Nicola Lupo, nga Universiteti Luiss në Romë, thekson se referendumi shihej nga italianët si i lidhur ngushtë me Melonin dhe qeverinë e saj. Prandaj, vota “Jo” në referendum është më shumë se një refuzim i reformës së drejtësisë.

Megjithatë, aktualisht Meloni dhe partia e saj, Fratelli d’Italia, vazhdojnë të jenë shumë përpara të gjitha partive të tjera në sondazhe. Pjesëmarrja në votime ishte shumë e lartë për një referendum, rreth 58 për qind, ndërsa të drejtën e votës e kishin mbi 46 milionë qytetarë.

Scroll to Top