Në kërkim për trafik droge në Itali, arrestohet 50-vjeçari në Tiranë
Një 50-vjeçar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, është arrestuar në Tiranë nga Forcat Operacionale. Sipas policisë, shtetasi Bledar Mansaku kërkohej nga Italia pasi ishte dënuar me 7 vite burg për trafikim të lëndëve narkotike.
Ai pritet të ekstradohet drejt shtetit fqinj.
Policia njofton se ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Apelit në Firence, Itali, në vitin 2024, e ka dënuar me 7 vjet burg për veprën penale “trafikim i lëndëve narkotike”, sipas Kodit Penal të Italisë.
Njoftimi i Policisë:
Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, pranë Departamentit të Policisë Kriminale, ka finalizuar operacionin policor të koduar “Operacionalja 88”, i cili kishte për qëllim kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Gjatë operacionit, është vënë në pranga një shtetas i kërkuar ndërkombëtarisht, i dënuar në Itali me 7 vjet burg për trafikim të lëndëve narkotike.
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, dhe bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, në Tiranë u bë i mundur lokalizimi dhe arrestimi i shtetasit Bledar Mansaku, 50 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit në Firence, Itali, në vitin 2024, e ka dënuar me 7 vjet burg për veprën penale “trafikim i lëndëve narkotike”, të parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.
Arrestimi provizor i këtij shtetasi u krye me qëllim ekstradimin drejt Italisë.
