Leku arrin rekord historik ndaj Euros, forca ekonomike

Leku arrin një tjetër rekord historik kundrejt euros

Kriza e çmimeve të energjisë dhe rreziqet inflacioniste duket se nuk po ndikojnë aspak në kursin e këmbimit të Lekut. Përkundrazi, monedha vendase është forcuar sot ndaj të gjitha valutave kryesore dhe ka shënuar një rekord të ri historik në kursin e këmbimit me Euron. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, sot euro u këmbye me 95.92 Lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.

Që nga fillimi i këtij viti, kursi Euro-Lek ka rënë me 0.9%, ndërsa krahasuar me një vit më parë, rënia ka arritur në 3%. Kriza gjeopolitike në Lindjen e Mesme dhe efektet e saj në çmimin e naftës kanë trazuar tregjet botërore dhe kanë shtuar frikën për një valë të re inflacioni. Gjatë krizës inflacioniste të vitit 2022, kursi i këmbimit Euro pati një fazë disaditore paniku, të shoqëruar me një forcim të shpejtë të Euros, i cili megjithatë u amortizua shpejt, edhe me ndërhyrjen e Bankës së Shqipërisë.

Këtë herë, as frika për një goditje inflacioniste nuk ka sjellë, qoftë edhe përkohësisht, trysni mbi kursin e Lekut, i cili vazhdon të shënojë rekorde të reja historike. Agjentët e këmbimit valutor shprehen se oferta e Euros në tregun e brendshëm vijon të jetë e lartë, edhe në nivele jo të zakonshme për tremujorin e parë të vitit. Nga ana tjetër, politika fiskale shtrënguese, me suficite të mëdha, vazhdon të ketë gjithashtu një rol dytësor në forcimin e Lekut në kursin e këmbimit.

Banka e Shqipërisë ndërkohë vazhdon të ndërhyjë në mënyrë të vazhdueshme në tregun valutor, duke blerë Euros. Megjithatë, kjo veprimtari vetëm sa po ngadalëson rënien e monedhës evropiane, e cila, në mungesë të rolit të Bankës Qendrore, do të kishte rënë në nivele edhe më të ulëta. Për momentin, kriza e shkaktuar nga konflikti në Lindjen e Mesme po reflektohet në rritjen e fortë të çmimeve të naftës edhe në tregun shqiptar. Çmimet e naftës janë rritur me afërsisht 25% krahasuar me nivelin para krizës, ndërsa qeveria shqiptare është angazhuar të ndërhyjë me ulje të nivelit të akcizës dhe rikthimin e Bordit që kontrollon çmimet me pakicë.

Shtrenjtimi i naftës nuk është përcjellë ende në zinxhirin e tregtimit të mallrave dhe shërbimeve, por, nëse çmimet nuk bien, një gjë e tillë do të jetë e pashmangshme. Megjithatë, tregu financiar shqiptar për momentin nuk duket të shfaqë shqetësim lidhur me pritshmëritë për rritje të inflacionit. Leku vazhdon të forcohet, ndërsa edhe normat e interesit dhe yield-et e titujve qeveritarë mbeten në nivele shumë të ulëta.

Në rast se rreziku inflacionist për ekonominë botërore do të materializohet, është e pashmangshme që rritja e çmimeve të përcillet edhe në tregun shqiptar. Duke pasur parasysh pozicionin e thellë negativ në tregtinë e mallrave, bilanci i llogarisë korrente të vendit do të vendoset nën presion të fortë. Në teori, një skenar i tillë do të krijonte premisa për zhvlerësimin e Lekut dhe ringritjen e valutave të huaja, sidomos Euros. Por, një skenar i tillë nuk ndodhi në krizën e vitit 2022, kur, falë prurjeve të mëdha valutore nga burime të tjera, Leku i rezistoi thellimit të deficitit tregtar dhe vazhdoi të forcohej, duke ndihmuar edhe në nivele inflacioni më të ulëta, krahasuar me Eurozonën dhe ekonomitë fqinje.

Scroll to Top