Pllana zgjedh Shqipërinë, paralajmëron Poloninë

“Ndiqja zemrën”, Pllana shpjegon pse la Kosovën për Shqipërinë dhe paralajmëron polakët: Keni ekip të mirë, por edhe ne gjithashtu

Bujar Pllana ka qenë një nga risitë e trajnerit Silvinjo për grumbullimin e Kombëtares shqiptare për ndeshjet e marsit, të vlefshme për fazën “play-off” të Botërorit. Mbrojtësi 24-vjeçar po shkëlqen me Leçia Gdansk në Poloni dhe ftesën e tij këtë javë e festoi në mënyrën më të mirë, duke shënuar gol në sfidën e kampionatit ndaj Pogon Szczecin.

Futbollisti ka treguar pas asaj ndeshje për mediat polake se pse kishte vendosur t’iu bashkohej Shqipërisë dhe jo të vazhdonte rrugëtimin te Kosova, ku kishte luajtur më parë me ekipet e moshave.

“Nuk kam folur ende me Silvinjon. Kisha kontakte vetëm me federatën pasi ata po më ndiqnin në ndeshjet e mëparshme. Ndiqja zemrën time. Ka qenë ëndrra ime që kur isha fëmijë. Unë jam rritur duke parë ekipin kombëtar të Shqipërisë. Tani jam i lumtur që bëhem pjesë e saj”, tha Pllana në intervistën e tij në fundjavë.

Sipas tij, nuk ka rëndësi edhe nëse do të luajë apo jo në ndeshjen ndaj Polonisë apo në atë pasardhëse. “Gjëja më e rëndësishme është të shkoj në kampin stërvitor dhe të tregoj më të mirën. Më pas të shohim se çfarë do të ndodhë”, vijoi mbrojtësi.

Ai më pas foli për shanset e Shqipërisë për të dalë me rezultat pozitiv nga ndeshja në Varshavë. “Në futboll nuk i dihet kurrë çfarë mund të ndodhë. Po e shohim këtë sot në kampionatin polak, i cili është shumë interesant dhe çdokush mund të mposhtë këdo. Në futboll, nuk mund të supozosh që dikush është favorit. Çdo gjë është e mundur. Ne do të bëjmë më të mirën për të shkuar në finale. Ju keni një ekip të mirë dhe lojtarë të mirë, por edhe këtu është e njëjta gjë. Ne kemi lojtarë që luajnë në ligat më të mëdha. Në Shqipëri, të gjithë janë entuziastë rreth kësaj ndeshje, shumë të fokusuar. Ne e kuptojmë sa e rëndësishme është kjo ndeshje. Jemi përmirësuar në vitet e fundit, siç e kemi parë në Kampionatin Europian. Po përmirësohemi me çdo ndeshje që luajmë”, tha prurja më e re e Kombëtares shqiptare.

Scroll to Top