Tension në Partinë Socialiste: Spiropali i përgjigjet Ballës, kërkon mbledhjen e grupit
Taulant Balla, i pyetur nga gazetarët në lidhje me mungesën e Elisa Spiropalit në seancën për Belinda Ballukun, deklaroi se vendimi do të merret në konsultim me grupin parlamentar socialist. “Nuk i marr vetëm vendimet, i marr me grupin parlamentar, do të pyes dhe grupin parlamentar për këtë çështje,” u shpreh Balla.
Në një reagim të menjëhershëm në rrjetet sociale, Elisa Spiropali i është përgjigjur Taulant Ballës, duke i kërkuar mbledhjen e grupit për një diskutim të plotë, në rast se ai e konsideron çështjen si të tillë që kërkon konsultim.
“Taulant, e lexova me vonesë një deklaratë tënden publike. Jam plotësisht dakord,” shkruan Spiropali. “Nëse çështja kërkon konsultim me grupin parlamentar, atëherë është pikërisht ajo që duhet bërë pa vonesë. Thirre grupin dhe zhvillojmë një diskutim të plotë.”
Spiropali thekson më tej se “Vendimmarrja kolektive është forca e grupit të PS dhe garancia e legjitimitetit politik. Çdo qëndrim që del nga një diskutim i hapur, i troçtë dhe i ndërgjegjshëm, meriton respekt, pavarësisht drejtimit që merr. Rëndësi ka që vendimi të jetë i menduar, i argumentuar dhe në përputhje me përgjegjësinë që kemi përballë publikut.”
