Çmimet e larta të naftës: Shqiptarët paguajnë taksa dyfish më shumë për litër krahasuar me rajonin
Aktualisht, një litër naftë në tregun e pakicës në Shqipëri tregtohet me 214 lekë, ose rreth 2.2 euro sipas kursit mesatar të këmbimit. Ky çmim e rendit Shqipërinë si vendin me naftën më të shtrenjtë në rajon.
Çmimet më të ulëta gjenden në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, ku karburanti kushton rreth 1.6 euro për litër. Në Kosovë, çmimi është rritur së fundmi në 1.7-1.8 euro/litër, ndërkohë që deri pak ditë më parë ishte rreth 1.6 euro/litër.
Mesatarisht, një përdorues automjeti në Shqipëri paguan mesatarisht 25-40% më shumë për litër naftë sesa në vendet e tjera të rajonit. Pyetja që shtrohet është se si shpjegohet ky diferencim.
Nëse shqyrtojmë strukturën e formimit të çmimit, bëhet e qartë se barra fiskale në Shqipëri është më e larta në rajon. Konkretisht, taksat që paguhen janë si më poshtë:
- Shqipëri:
- Taksë qarkullimi: 27 lekë për litër
- Akcizë: 39.4 lekë për litër
- Taksë karboni: 3 lekë për litër
- TVSH: 20% mbi çmimin final (përfshirë taksat e tjera), ndryshe nga rajoni ku TVSH nuk llogaritet mbi taksat.
- Mali i Zi:
- Akcizë: 0.22 euro për litër (e përgjysmuar së fundmi për të lehtësuar rritjen e çmimeve).
- TVSH: 21%.
- Maqedonia e Veriut:
- Akcizë: 0.42 lekë për litër.
- TVSH: E ulur përkohësisht nga 18% në 10% për naftën dhe benzinën.
- Kosova:
- Akcizë: 0.37 euro për litër.
- TVSH: 18%.
Në total, një shqiptar paguan rreth 1.16 euro taksa për një litër naftë (53% të çmimit final). Në krahasim, një qytetar maqedonas paguan 0.58 euro (36% të çmimit final), një malazez 0.55 euro (35% të çmimit final), dhe një shtetas i Kosovës 0.67 euro (38.5% të çmimit final).
Në vlerë, çdo herë që blejnë një litër karburant, përdoruesit e makinave në Shqipëri paguajnë taksa dy herë më shumë sesa banorët e Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut.
Nëse hiqen taksat kryesore, çmimi i blerjes me shumicë, së bashku me marzhet e pakicës dhe kostot e tjera operative (siç janë kostot e punës, transporti, energjia, firo ligjor, amortizimi, kreditë bankare, etj.), në të gjitha vendet e rajonit është pak a shumë në të njëjtat nivele, rreth 1-1.1 euro për litër.