Yield-et e bonove rriten lehtë, investitorët në pritje për kthime më të mëdha
Yield-et e bonove 12-mujore kanë shënuar një tjetër rritje në ankandin e kësaj jave. Ky zhvillim tregon se tregu po fillon të reflektojë një pjesëmarrje më të ulët në ankande dhe një kalim drejt pozicioneve pritëse nga ana e një pjese të investitorëve.
Yield-i mesatar i ponderuar në ankandin e ditës së martë u rrit në 2.5%, nga 2.45% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm. Megjithatë, kjo rritje nuk ishte shumë e ndjeshme, duke pasur parasysh pjesëmarrjen relativisht të ulët në ankand.
Nga 11 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim nga Banka e Shqipërisë, kërkesat totale në ankand nuk arritën më shumë se 6.65 miliardë lekë. Ky ishte ankandi i katërt radhazi ku shuma e shpallur për huamarrje nuk u arrit të plotësohej, megjithatë pa efekte të forta mbi çmimin e instrumenteve të emetuara.
Ulja e pjesëmarrjes së investitorëve në ankande në muajt e fundit mund t’i atribuohet kryesisht rënies së fortë të yield-eve. Gjatë gjithë tremujorit të parë, yield-et kanë qëndruar nën normën bazë të interesit, duke i bërë këto instrumente më pak joshëse për investitorët dhe duke ulur gradualisht pjesëmarrjen e tyre.
Ndërkohë, pas shpërthimit të konfliktit të fundit në Lindjen e Mesme, ulja e pjesëmarrjes mund të jetë motivuar gjithashtu nga marrja e pozicioneve pritëse nga investitorët. Duket se ata parashikojnë një rritje të normave të interesit dhe të yield-eve.
Tensionet gjeopolitike kanë çuar në rritjen e çmimit të naftës dhe kanë krijuar shqetësim në rritje për një valë të re inflacioniste. Rritja e çmimeve të naftës është reflektuar tashmë edhe në tregun shqiptar, me një shtrenjtim të karburanteve prej afërsisht 25%. Nëse nuk do të ketë një zgjidhje të shpejtë të konfliktit dhe zhbllokim të rrugëve të transportit të naftës, çmimet e larta të energjisë do të përcillen në mënyrë të pashmangshme në të gjithë zinxhirin e mallrave dhe shërbimeve të ekonomisë globale.
Rritja e inflacionit do të sillte si pasojë rritje të normave të interesit nga bankat qendrore dhe, rrjedhimisht, edhe rritje të interesave dhe yield-eve në tregjet financiare. Duke qenë se një skenar i tillë po bëhet gjithnjë e më i mundshëm, investitorët po marrin kohë për të kryer investime të reja, në pritje të yield-eve më të larta.
Deri tani, bankat qendrore ende nuk kanë ndërhyrë për të rritur normat e interesit, duke shpresuar që konflikti dhe tensionet të bien në një kohë të shkurtër. Banka e Shqipërisë do të zhvillojë të mërkurën mbledhjen e radhës të Këshillit Mbikëqyrës, ku pritet të miratohet edhe vendimmarrja e parë e politikës monetare për vitin 2026.
