Vrasja e Ardian Nikulajt: Autori portugez Ruben Saraiva dënohet me burgim të përjetshëm
Gjykata e Lezhës ka vendosur dënimin me burgim të përjetshëm për shtetasin portugez Ruben Saraiva, i cili rezulton të jetë autori i vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj. Ngjarja e rëndë ndodhi më 19 prill të vitit 2023 në Shëngjin.
Saraiva u shpall fajtor për dy vepra penale: “Vrasje e kryer për interes ose hakmarrje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Sipas informacioneve, vrasja ndodhi brenda ambientit të hotelit në pronësi të Nikulajt në Shëngjin. Viktimën, biznesmenin Ardian Nikulaj, autori e qëlloi për vdekje teksa ky i fundit ndodhej ulur në lokal. Saraiva iu afrua me skafandër në kokë për të kryer krimin.
Prokuroria ka ngritur dyshime se vrasja e Nikulajt është porositur nga Edmond Haxhia, i cili aktualisht jeton në Britaninë e Madhe, dhe se motivi i krimit lidhet me çështje hakmarrjeje. Gjithashtu, katër shtetas britanikë, Stephen Hunt, Thomas Mithan, Harriet Bridgeman dhe Harry Simson, janë përfshirë në këtë çështje si persona ndihmës.
Vrasja e biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin, sipas hetuesve, shihet si një vijim i zinxhirit të hakmarrjeve mes familjes së viktimës dhe fisit Lekstakaj, një konflikt i nisur që në vitin 1997 dhe që ka shkaktuar humbjen e jetës së shumë personave nga të dyja palët.
