Kosovë: Gjykata Kushtetuese i jep Kuvendit 34 ditë për zgjedhjen e Presidentit
Ligjvënësit në Kosovë kanë afat mbi një muaj kohë për të zgjedhur presidentin e ri të vendit. Kjo pasoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese të mërkurën, e cila rrëzoi një dekret të presidentes në detyrë, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit. Dekreti, i lëshuar pas moszgjedhjes së presidentit në një seancë të datës 5 mars, sipas Gjykatës Kushtetuese, nuk ka efekt juridik.
Gjykata Kushtetuese publikoi aktgjykimin e plotë lidhur me dekretin e Osmanit të datës 6 mars. Ajo vendosi se në rast se deputetët nuk zgjedhin presidentin brenda 34 ditëve nga hyrja në fuqi e aktgjykimit, Kuvendi do të shpërndahet. Vendimi parasheh gjithashtu që, pas shpërndarjes së organit ligjvënës, Kosova duhet të mbajë zgjedhje të reja brenda 45 ditësh.
Ky vendim vjen pasi në fillim të këtij muaji Gjykata Kushtetuese kishte pezulluar përkohësisht, deri më 31 mars, dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit. Ajo i kishte ndaluar presidentes Osmani çdo veprim lidhur me dekretin e 6 marsit, si dhe punën e Kuvendit deri në përfundim të pezullimit.
Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit për shpërndarjen e Kuvendit ishte dorëzuar nga kryeministri Albin Kurti në emër të Qeverisë.
