“`html
Gjimshiti: “Levandovski është sfidë e vështirë, por nuk do jem vetëm kundër tij”. Kapiteni i Shqipërisë i qetë para sfidës me Poloninë, Silvinjo do marrë vendimet.
Kapiteni i kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, ka folur në prag të ndeshjes kundër Polonisë, e cila do të zhvillohet më 26 mars në orën 20:45. Mbrojtësi i Atalantës foli për rëndësinë e transfertës për gjysmëfinalen e “play-off”-it të Botërorit 2026.
Peshë e ndeshjes dhe gatishmëria e ekipit:
- “Sigurisht që e ndiejmë peshën e ndeshjes, ashtu si kur arritëm në ‘play-off’. Eksperienca në ndeshjet e fundit të kombëtares tregon se kemi ecur mirë. Besoj se nesër do jemi gati për maksimumin. Kundërshtari ka një nivel të lartë dhe do bëjmë çmos për ta realizuar këtë ëndërr.”
- “Besoj se ekipi do jetë gati. Është një rast i madh dhe nuk mendoj se eksperienca ka aq lidhje në këto ndeshje, sa dëshira, vullneti, djersa dhe gjithçka që ne japim në fushë. Ai që është më i aftë, do fitojë.”
Përballja me Levandovskin:
- “Përballja me Levandovskin është shumë e vështirë, pa dyshim. Ai ka pasur një nivel të lartë në vitet e fundit dhe është tepër e vështirë për sulmuesit të arrijnë aty. Ai është një nga sulmuesit që ka pasur një karrierë kaq të gjatë në nivele të tilla.”
- “Por unë nuk do jem i vetmi që do përpiqem ta ndal Levandovskin. Duhet që gjithë skuadra të jetë në momentin e duhur, si në mbrojtje, ashtu edhe në sulm.”
Fitorja në Ligën e Europës apo arritja me Shqipërinë:
- “Në këtë moment nuk jam në pikën për të vendosur se çfarë preferoj. Por besoj se si kapiten, të krijoj një histori kaq të madhe me Shqipërinë do të ishte mrekullueshme, përtej fjalëve.”
- “Megjithatë, duhet të shohim hap pas hapi. Ndeshja më e rëndësishme është ajo e nesërme. Duhet të mendojmë vetëm për nesër dhe pastaj të shohim çfarë do të ndodhë.”
Shanset dhe taktika:
- “Besoj se kur të hysh në fushë, shanset janë 50 me 50. Unë hyj në fushë për fitore dhe besoj se e gjithë kombëtarja mendon kështu.”
- “Ecuria e re ka qenë e mirë dhe madhështore. Kemi marrë eksperiencë në ndeshjet e fundit, gjë që do të na ndihmojë edhe nesër.”
- “Taktikën do ta vendosë trajneri. Ne duhet të jemi perfektë pothuajse si në sulm, ashtu edhe në mbrojtje, për të mundur një kombëtare si Polonia.”
“`
