CNN: Irani forcon mbrojtjen në ishullin Kharg
Irani po forcon masat e tij mbrojtëse në ishullin Kharg, duke u përgatitur për një sulm të mundshëm tokësor nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas një raportimi të CNN, i cili citon burime të informuara, në javët e fundit Irani ka vendosur mina kundër personelit dhe mina antitank në ishull. Gjithashtu, është shtuar personeli ushtarak, si dhe janë vendosur sisteme mbrojtëse ajrore dhe raketa tokë-ajër, në pritje të një operacioni potencial amerikan për të marrë kontrollin e ishullit.
Raportohet se administrata e Uashingtonit po shqyrton mundësinë e pushtimit të këtij ishulli strategjik në veri-lindje të Gjirit Persik. Ishulli Kharg konsiderohet si një “litar shpëtimi ekonomik” për Iranin, pasi rreth 90% e eksporteve të naftës bruto të vendit kalojnë përmes tij. Një veprim i tillë synon të ushtrojë presion mbi Iranin për rifillimin e transportit detar përmes Ngushticës së Hormuzit.
Megjithatë, ekspertët vënë në dukje se një operacion i tillë do të mbartë rreziqe të larta viktimash, për shkak të mbrojtjes së fortifikuar të ishullit.
Më 13 mars, forcat ushtarake amerikane kryen sulme në ishullin Kharg. Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së, u goditën 90 objektiva, duke përfshirë objekte magazinimi të minave detare, bunkerë për ruajtjen e raketave dhe objekte të tjera ushtarake.
