Teprica Tatim-Fitimit: 3 Opsione Për Bizneset

Tatimet sqarojnë biznesin: 3 alternativa për përdorimin e tepricës kreditore të tatim-fitimit

Administrata Tatimore informon bizneset që kanë rezultuar me tepricë kreditore të tatim-fitimit për periudhat tatimore para vitit 2025, se disponojnë 3 alternativa për përdorimin e shumave të paguara më tepër.

Këto alternativa, sipas Administratës Tatimore, janë:

  • Së pari, bizneset mund ta përfitojnë shumën e paguar më tepër si kompensim për shlyerjen e detyrimeve të tjera të papaguara, me përjashtim të kontributeve të sigurimeve shoqërore ose shëndetësore.
  • Së dyti, kanë të drejtë ta transferojnë shumën për llogari të detyrimeve tatimore të ardhshme të tatimpaguesit, gjithashtu duke përjashtuar kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
  • Së treti, mund ta mbajnë shumën si tepricë kreditore për të paguar të njëjtin tatim në të ardhmen.

Administrata Tatimore sqaron se, në përputhje me Ligjin nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, tatimpaguesit kanë mundësinë të përcaktojnë mënyrën e përdorimit të tepricës kreditore të Tatimit mbi Fitimin për periudhat tatimore para vitit 2025.

Sipas nenit 75 të ligjit të përmendur, për shumën e paguar më tepër, tatimpaguesit mund të zgjedhin:

  • Kompensimin e saj me detyrime të tjera tatimore të papaguara (me përjashtim të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore).
  • Transferimin e saj për llogari të detyrimeve tatimore të ardhshme të tatimpaguesit (me përjashtim të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore).
  • Mbajtjen si kredi për të njëjtin tatim, veçanërisht në rastet kur tatimpaguesi mund të jetë subjekt i një procesi kontrolli për periudhat e mëparshme.

Në rast se tatimpaguesi zgjedh kompensimin ose transferimin e tepricës kreditore, duhet të paraqesë një kërkesë përmes llogarisë së tij në sistemin e-Filing (me çështje “Pyetje e përgjithshme”) ose me shkresë zyrtare pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore (DRT) ku është i regjistruar. Dokumenti i kërkesës duhet të jetë i nënshkruar nga përfaqësuesi ligjor i subjektit.

Në rast transferimi të tepricës së Tatimit mbi Fitimin në përgjegjësinë e re tatimore – Tatimi mbi të Ardhurat e Korporatës (TAK) ose Tatimi mbi të Ardhurat Personale nga Biznesi (TAPB) – vlera përkatëse do të konsiderohet, sipas rastit, për mbylljen e detyrimeve të vitit 2025 ose për parapagimet e tatimit për vitin 2026.

Administrata Tatimore i inkurajon tatimpaguesit të verifikojnë situatën e tyre tatimore dhe, nëse dëshirojnë kompensimin apo transferimin e tepricës kreditore, të paraqesin kërkesën elektronikisht nëpërmjet e-Filing ose me shkresë pranë drejtorive rajonale tatimore përkatëse.

“Gjatë vitit 2025, Administrata Tatimore ka shqyrtuar dhe trajtuar mijëra kërkesa nga tatimpaguesit. Ky proces do të vijojë në mënyrë të pandërprerë edhe në vijim, për çdo kërkesë që paraqitet, duke garantuar trajtim korrekt dhe në kohë, në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi”, thuhet në njoftimin e administratës tatimore.

Më herët, bizneset me teprica kreditore para vitit 2025 kishin shprehur shqetësimin se nuk arrinin t’i përdornin ato për të kompensuar detyrimet e vitit 2025. Ky problem vinte pasi, me ndryshimin ligjor në “Tatimi mbi të Ardhurat e Korporatave”, tepricat kishin mbetur në llogarinë e vjetër dhe nuk ishin transferuar në sistemin e ri (e-filing), duke krijuar situata pagesash të panevojshme dhe rritje të barrës administrative.

Scroll to Top