Përgatituni për turbulenca
BBC: Lufta e zgjatur në Iran do ndikojë te fluturimet
Konflikti në Lindjen e Mesme ka goditur fort aviacionin global. Fillimisht, fluturimet u ndaluan në hapësirat ajrore më të ngarkuara të botës, duke lënë avionët në tokë dhe mijëra pasagjerë të bllokuar.
Goditja e radhës ishte ajo ndaj furnizimit me karburant, që u prek ndjeshëm nga mbyllja e ngushticës së Hormuzit nga Irani. Kjo solli rritje të çmimeve dhe detyroi disa linja ajrore të reduktojnë fluturimet.
Për momentin situata është stabilizuar pjesërisht, thotë BBC. Emirates, Etihad dhe Qatar Airways po operojnë me fluturime të rregullta, por oraret mbeten të kufizuara dhe të ndjeshme ndaj ndërprerjeve.
Analistët e kompanisë së të dhënave të aviacionit, Cirium, raportojnë se mbi 30,000 fluturime në Lindjen e Mesme janë anuluar që nga fillimi i konfliktit.
Pjesa më e madhe e pasagjerëve që kalojnë nëpër aeroportet e vendeve të Gjirit nuk qëndrojnë atje; ata thjesht ndryshojnë fluturimet e tyre, në një sistem që lidh destinacione të largëta në një ndalesë të vetme. Kjo ka bërë që Dubai, Abu Dhabi dhe Doha të jenë pikë kyçe për udhëtime nga Europa dhe Amerika drejt Australisë, Azisë Juglindore dhe Indisë.
Ekspertët paralajmërojnë se konflikti mund të dëmtojë reputacionin e aeroporteve në fjalë, duke sjellë rënie të trafikut dhe rritje të çmimeve të biletave. Sipas tyre, në periudhën afatshkurtër, pasagjerët mund të shmangin Gjirin dhe të zgjedhin alternativa si Singapori, Bangkoku ose Tokio.
Por edhe nëse më vonë modeli i shteteve të Gjirit do të marrë veten në mënyrë që të konsiderohet sërish një sukses, ndikimi mbi turizmin dhe biznesin do të jetë i madh, thotë BBC. Sipas saj, rikthimi në normalitet do të jetë një sfidë që mund të zgjasë disa vite.
