Izrael/ Një i vdekur, 14 të plagosur nga sulmi me raketa i Hezbollahut në Nahariya
Një person humbi jetën dhe 14 të tjerë u plagosën si pasojë e një breshërie raketash të lëshuara nga Hezbollahu në Liban drejt qytetit verior izraelit të Nahariyas. Ky informacion u bë i ditur nga Magen David Adom (MDA), organizata homologe e Kryqit të Kuq në Izrael.
Sipas MDA-së, viktima është një burrë rreth të 30-ave, ndërsa një 50-vjeçar është dërguar në spital me lëndime të rënda. Të 13 personat e tjerë të plagosur janë transportuar gjithashtu në spital, por gjendja e tyre nuk konsiderohet serioze.
Ushtria izraelite (IDF) njoftoi se Hezbollahu kishte lëshuar mbi 100 raketa drejt Izraelit gjatë ditës së diel, përveç dhjetëra raketave të tjera të drejtuara kundër forcave izraelite që vepronin në jug të Libanit.
