Ministrja Ibrahimaj: Po përgatitet një akt normativ për reduktimin e akcizës së naftës
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, në një deklaratë për mediat një ditë pas mbledhjes së Bordit të Transparencës për çmimin e karburanteve, u shpreh se qeveria po përgatit një akt normativ për të ndërhyrë në uljen e akcizës.
“Sa i takon ndërhyrjeve të tjera, do të bëjmë një akt që do të ndërhyjë në reduktimin e akcizës në nivel 20%. Ky akt do të miratohet në Këshillin e Ministrave dhe do të bëhet publik në momentin e duhur. Kemi vlerësuar që për pensionistët dhe shtresat në nevojë, çmimi më i ndjeshëm është ai i energjisë elektrike dhe i shportës së ushqimeve bazë. Nëse do të ketë nevojë për ndërhyrje, siç kemi bërë më parë, nuk ndryshuam çmimin e energjisë, por ndërhymë me disa paketa mbështetëse për kategoritë në nevojë”, tha ajo.
“Po monitorojmë një shportë me 80 ushqime bazë. Janë reflektuar rritje çmimesh, do të aktivizojmë grupe monitorimi për verifikimin e këtyre çmimeve. Do marrim vendime për çmimet e shportës së konsumit”, tha ministrja.