FT: Emiratet mund t’i bashkohen grupit për të hapur Ngushticën e Hormuzit
Emiratet e Bashkuara Arabe kanë lënë të hapur mundësinë e pjesëmarrjes në një grup ndërkombëtar me qëllim hapjen e Ngushticës së Hormuzit, sipas një raporti të publikuar nga Financial Times. Ky vend po përpiqet të ushtrojë presion mbi dhjetëra shtete për të krijuar një “Forcë Sigurie të Ngushticës së Hormuzit”, e cila do të synojë mbrojtjen e kësaj rruge detare kritike tregtare nga sulmet iraniane dhe shoqërimin e anijeve.
Emiratet e Bashkuara Arabe kanë qenë shënjestër e më shumë sulmeve nga Irani sesa çdo vend tjetër në rajon, përfshirë Izraelin.
Qëndrimi i aleatëve të SHBA-së
Shumë aleatë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë deklaruar se nuk kanë plane të menjëhershme për të dërguar anije për të hapur Ngushticën e Hormuzit, duke hedhur poshtë kështu kërkesën e Presidentit amerikan Donald Trump për mbështetje ushtarake për të mbajtur hapur rrugën detare.
Franca, duke folur të enjten, bëri të ditur se ka zhvilluar bisedime me rreth 35 vende, duke kërkuar partnerë dhe propozime për një mision për hapjen e Ngushticës, por ky mision do të fillojë vetëm pasi të përfundojë lufta në Lindjen e Mesme.
Irani ka bllokuar në mënyrë efektive Ngushticën e Hormuzit, nëpër të cilën kalon 20% e prodhimit global të naftës dhe gazit, duke shkaktuar rritje të çmimeve të energjisë dhe frikë nga inflacioni.
Bashkëpunimi i Emirateve të Bashkuara Arabe me Bahreinin
Në të njëjtën kohë, Emiratet po bashkëpunojnë me Bahreinin për një projekt-rezolutë që do t’i paraqitet Këshillit të Sigurimit të OKB-së lidhur me hapjen e Ngushticës së Hormuzit. Megjithatë, Rusia dhe Kina, të cilat kanë të drejtë vetoje, pritet ta kundërshtojnë këtë nismë.
Anëtarët e Këshillit të Sigurimit kanë nisur negociatat mbi disa projektrezoluta që synojnë mbrojtjen e transportit detar tregtar në dhe përreth Ngushticës së Hormuzit. Mes projekt-rezolutiveve të paraqitura, është edhe ajo e paraqitur nga Bahreini, e cila do të autorizonte përdorimin e “të gjitha mjeteve të nevojshme” për të hapur ngushticën.
Kjo rrugë detare është jetike për ekonominë e Emirateve të Bashkuara Arabe, një vend eksportues i madh nafte dhe një qendër tregtare kryesore. Irani ka sulmuar në mënyrë të vazhdueshme një port të Emirateve të Bashkuara Arabe që ndodhet jashtë Gjirit Persik dhe përdoret për ngarkimin e naftës së destinuar për eksport.
