Shqiptarët shtetas BE: 48 mijë në 2024, të tretët globalisht

Emigrimi masiv: 48 mijë shqiptarë u bënë shtetas të BE-së në 2024, duke u renditur të tretët në botë

Vala e re e emigracionit masiv që ka përfshirë Shqipërinë po reflektohet në numrin e lartë të shtetësive që po marrin shqiptarët në vendet e Bashkimit Europian. Të dhënat e fundit nga Eurostat tregojnë se shqiptarëve u janë dhënë 48 mijë shtetësi nga vendet e BE-së ku ata jetojnë. Ky numër i rendit ata të tretët në botë, pas Sirisë dhe Marokut, dy shtete me një popullsi shumë më të madhe se Shqipëria.

Italia kryeson listën e vendeve që u kanë dhënë më shumë shtetësi shqiptarëve, duke përfituar 66% të totalit. Greqia renditet e dyta me 22.3%, e ndjekur nga Gjermania me 6.6%, Suedia me 1.6% dhe vende të tjera me 3.8%. Në Greqi dhe Itali, shqiptarët janë grupi kryesor që marrin shtetësinë.

Eurostat njoftoi se në vitin 2024, rreth 1.2 milionë persona fituan shtetësinë e një vendi të BE-së ku jetonin. Kjo shënon një rritje prej 11.6% krahasuar me vitin 2023. Numri i shtetësive të dhëna është rritur me 54.5% krahasuar me vitin 2014, kur u dhanë gjithsej 762,100 shtetësi.

Vendet kryesore që dhanë shtetësi ishin Gjermania (288,700, 24.5% e totalit të BE-së), Spanja (252,500, 21.4%) dhe Italia (217,400, 18.5%). Shumica dërrmuese e përfituesve (88.0%) ishin nga vende jashtë BE-së, ndërsa shtetasit e vendeve të tjera të BE-së përbënin 10.6%.

Ashtu si edhe një vit më parë, shtetasit sirianë përbën grupin më të madh të qytetarëve të rinj të BE-së në vitin 2024, me 110,100 shtetësi të dhëna. Shtetasit marokenë ishin grupi i dytë më i madh me 97,100 shtetësi, të ndjekur nga shqiptarët me 48,000.

Norma e natyralizimit, e cila mat numrin e personave që fitojnë shtetësinë në një vend gjatë një viti në raport me numrin total të banorëve jo-shtetas në fillim të atij viti, tregon disa tendenca:

  • Suedia regjistroi normën më të lartë të natyralizimit në BE, me 7.5 shtetësi për çdo 100 banorë jo-shtetas.
  • Italia u rendit e dyta me 4.1, ndërsa Spanja dhe Holanda me 3.9 secila.
  • Në anën tjetër, normat më të ulëta të natyralizimit u regjistruan në Lituani (0.1), Bullgari dhe Estoni (0.3 secila).
Scroll to Top