Berisha: Rama akuzon vendet partnere për të mbuluar lidhjet me drogën
Kreu i Partisë Demokratike (PD), Sali Berisha, ka komentuar çështjen e trafikut të drogës në Shqipëri. Në një deklaratë për mediat, Berisha theksoi se reagimet e fundit të kryeministrit Edi Rama përbëjnë një përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga problemet e brendshme, duke akuzuar vendet aleate.
Kryedemokrati theksoi se situata e narkotikëve në Shqipëri mbetet shqetësuese dhe është e lidhur me mënyrën se si janë menaxhuar institucionet dhe lufta kundër krimit të organizuar. Berisha u shpreh se deklaratat e kryeministrit nuk reflektojnë realitetin, por synojnë të mbulojnë lidhjet e mundshme të pushtetit me aktivitetet kriminale.
“Është e vërtetë që kartelet shqiptare të drogës, dhe jo vetëm shqiptare, përdorin edhe porte të tjera të vendeve evropiane për shkarkimin e ngarkesave të mëdha të kokainës. Por është e vërtetë se nuk ka asnjë vend tjetër si Shqipëria, në të cilin portet të jenë të gjitha në dispozicion të karteleve të drogës, përfshirë edhe portet e peshkimit. Pra, Edi Rama u përpoq të lajë duart si ‘padrino’ i narkoshtetit duke akuzuar vendet partnere, drejt të cilave eksporton drogë dhe krim 24 orë në 24 orë. Por këto janë përpjekje të kota, sepse e vërteta është se edhe ato operacione antidrogë të kryera në Shqipëri janë ndërmarrë të gjitha, pa përjashtim, nga Europoli, Eurojust, DEA dhe agjencitë e zbatimit të ligjeve të vendeve partnere, si Antimafia italiane dhe prokuroria gjermane. Në mënyrë absolute asnjë operacion i rëndësishëm nuk ka qenë iniciativë e policisë apo organeve shqiptare. Përkundrazi, kanë qenë dekonspirime të mëdha. Mos harroni ju rastin Xibraka, kur u instalua uzina më e madhe e miellit të bardhë në Ballkan, dhe Olsi Rama, sipas dëshmive të depozituara në prokurori, është njeriu që përcolli jashtë shtetit Genti Xhixhën, bosin e grupit të Xibrakës. Pra, në çdo fjalë, në çdo qëndrim, në çdo përpjekje të Edi Ramës, ai vetëm sa vetë-demaskohet më shumë. Është vetë droga Edi Rama. Është vetë kartelet e drogës. Nuk ka kryeministër tjetër në Evropë që t’u ketë dhënë trafikantëve miliona e miliona metër katrorë tokë publike. Shqipëria është sot lavatriçja më gjigante e kontinentit për paratë e drogës. Treguesi i ndërtimit në Shqipëri është tre herë më i lartë se në BE. Ndaj dhe dënoj me forcën më të madhe këto qëndrime të papërgjegjshme, përpjekje të turpshme të Edi Ramës për të akuzuar vendet partnere, në mënyrë që të mbulojë krimet e tij, lidhjet e tij me drogën dhe shndërrimin e Shqipërisë në eksportues kryesor të krimeve, drogës dhe trafiqeve në kontinent,” tha Berisha.
