“Kontribute vullnetare” nën presion: Putin detyron oligarkët të financojnë luftën në Ukrainë, me pasoja nëse nuk binden
Presidenti rus Vladimir Putin po intensifikon përpjekjet për të siguruar fonde shtesë për vazhdimin e luftës në Ukrainë, duke iu drejtuar drejtpërdrejt elitës së biznesit rus.
Sipas informacioneve të publikuara nga Financial Times dhe platforma The Bell, në një takim të zhvilluar me dyer të mbyllura me personalitete të shquara të biznesit rus, Putin ka propozuar që oligarkët të japin kontribute të quajtura “vullnetare” për të mbuluar nevojat ushtarake.
Burime të cituara nga mediat ndërkombëtare raportojnë se kjo iniciativë është nxitur nga Igor Sechin, një nga figurat më me ndikim në sektorin energjetik rus. Mes tyre, thuhet se biznesmenët Oleg Deripaska dhe Suleiman Kerimov janë ndër të parët që i janë përgjigjur pozitivisht kërkesës.
Megjithatë, mesazhi i Kremlinit ka qenë i qartë: lufta do të vazhdojë dhe nevojiten më shumë fonde për ta financuar atë. Për bizneset e mëdha, këto “kontribute” nuk janë në fakt opsionale. Refuzimi për të marrë pjesë në këtë financim mund të sjellë pasoja të rënda për kompanitë dhe pronarët e tyre.
Ky zhvillim vjen në një moment kur kostot e luftës për Rusinë janë në rritje të vazhdueshme. Kremlini duket se është i vendosur për një konflikt afatgjatë dhe po kërkon burime të reja financimi për të mbështetur operacionet ushtarake.
Që nga fillimi i konfliktit, raportohet se asete me vlerë rreth 40 miliardë dollarë janë sekuestruar ose janë kaluar nën kontroll shtetëror nga kompani private në Rusi, duke sinjalizuar një presion në rritje ndaj sektorit privat.
