Nga nesër rikthehet ora verore, akrepat do të zhvendosen 60 minuta para
Nga nesër akrepat e orës do të zhvendosen 60 minuta përpara. Kalimi nga ora dimërore në atë verore do të bëhet gjatë natës mes të shtunës, 28 marsit, dhe të dielës, 29 marsit 2026. Ky ndryshim orësh do të ndodhë në orën 03:00 të mëngjesit të së dielës së fundit të muajit mars, kur akrepat do të zhvendosen dhe ora do të shënojë 04:00.
Ndryshimi i orës verore u mundëson njerëzve të shijojnë më shumë ditën dhe rrezet e diellit. Megjithatë, ky ndryshim ka shkaktuar debate të vazhdueshme çdo vit. Disa shtete mbështesin idenë e heqjes përfundimtare të praktikës së ndryshimit të orës dhe mbajtjen e një orari të qëndrueshëm gjatë gjithë vitit.
Ka vende si Kina, Kanadaja, Rusia, Argjentina, India, Afrika dhe disa vende të tjera të cilat e kanë hequr këtë praktikë prej kohësh. Në Europë dhe në Amerikën e Veriut, ora verore vazhdon të aplikohet. Gjithashtu, ka pasur disa vende si ato të Azisë, të cilat nuk e kanë aplikuar kurrë ndryshimin e orës.
Ndryshimi i orës në Europë u vendos si ligj evropian në vitin 1981 dhe është rinovuar çdo katër vjet. Norma evropiane përcakton në mënyrë të qëndrueshme datat e fillimit të periudhës së orës verore, ku akrepat lëvizin 60 minuta para, dhe të orës dimërore, kur ato zhvendosen një orë pas.
