Houthit godasin Izraelin me raketa balistike, paralajmërojnë përshkallëzim të luftës në të gjitha frontet!
Rebelët Houthi në Jemen kanë konfirmuar se kanë lëshuar një raketë balistike drejt Izraelit, duke e cilësuar këtë si një operacion ushtarak ndaj objektivave strategjike.
Në një deklaratë zyrtare, grupi, i njohur gjithashtu si Ansar Allah, bëri të ditur se ky është operacioni i parë i këtij lloji dhe paralajmëroi për përshkallëzim të mëtejshëm të veprimeve.
“Operacionet do të vazhdojnë derisa të arrihen objektivat e deklaruara. Ne do të ndalemi vetëm kur të përfundojë agresioni në të gjitha frontet,” thuhet në reagimin e tyre.
Houthit përbëjnë një nga palët kryesore në konfliktin e gjatë civil në Jemen dhe mbështeten nga Irani. Që nga viti 2014, Teherani ka rritur ndihmën ndaj grupit, duke përfshirë furnizime me mina detare, raketa balistike dhe dronë.
Ky grup është pjesë e ashtuquajturës “Boshti i Rezistencës”, një aleancë e mbështetur nga Irani, e cila kundërshton Izraelin dhe vendet perëndimore.
