Arrestimi i ish-kryeministrit të Nepalit për shtypjen e protestave

Ish-kryeministri i Nepalit, Khadga Prasad Sharma Oli, është arrestuar nën akuzën për shtypjen vdekjeprurëse të protestave të organizuara nga të rinjtë, të cilat rezultuan me 76 viktima dhe mbi 2,300 të plagosur.

Arrestimi i ish-kryeministrit Oli ndodhi vetëm disa orë pas betimit të qeverisë së re në Nepal. Autoritetet e morën atë nga rezidenca e tij në periferi të Kathmandu në orët e para të mëngjesit të së shtunës. Bashkë me Olit, u arrestua edhe ish-ministri i Brendshëm, Ramesh Lekhak, i cili akuzohet se ka dhënë urdhër për hapjen e zjarrit ndaj protestuesve.

Lajmin për këto arrestime e bëri publik ministri aktual i Brendshëm, Gurung, përmes një postimi në rrjetet sociale. Ai theksoi se “askush nuk është mbi ligjin” dhe se qëllimi i procesit është drejtësia, jo hakmarrja.

Një hetim i kryer nga një komitet qeveritar sugjeron se Oli, Lekhak dhe ish-drejtuesi i policisë përballen me dënime deri në 10 vite burg për rolin e tyre në këto ngjarje.

Të dy të arrestuarit janë shoqëruar nën masa të rrepta sigurie drejt zyrave rajonale të policisë në kryeqytet. Këto zhvillime vijnë një ditë pas marrjes së detyrës nga qeveria e re, e drejtuar nga kryeministri Balendra Shah, pas fitores së thellë të Rastriya Swatantra Party në zgjedhjet parlamentare. Udhëheqja e re ka premtuar zbardhjen e plotë të ngjarjeve dhe vendosjen e drejtësisë për viktimat.

Zgjedhjet e fundit ishin të parat që nga protestat masive antiqeveritare të 8 dhe 9 shtatorit. Këto protesta, të nxitura kryesisht nga të rinjtë dhe aktivistët kundër korrupsionit dhe keqqeverisjes, shkaktuan dhjetëra viktima dhe dëme të konsiderueshme në institucionet shtetërore.

Kriza politike më herët kishte çuar në emërimin e Sushila Karki si kryeministrja e parë femër e vendit, e cila drejtoi një qeveri kalimtare deri në zhvillimin e zgjedhjeve dhe formimin e kabinetit të ri.

Scroll to Top