SHBA godasin Iranin, dënim me vdekje për spiunazh

SHBA godasin një depo të madhe me municione iraniane; Irani kundërpërgjigjet: Dënim me vdekje për ata që nxjerrin foto nga dëmet e luftës

Shtetet e Bashkuara kanë goditur një depo të madhe municionesh iraniane duke përdorur bomba të cilësuara si “shkatërruese bunkerësh”, me peshë rreth 900 kg. Donald Trump ka publikuar një video të sulmit të koordinuar, duke shfaqur një seri shpërthimesh parësore dhe dytësore në qytetin e Isfahanit, një qendër e rëndësishme për infrastrukturën ushtarake dhe bërthamore të Iranit.

Ndërkohë, Asghar Jahangir, një zëdhënës i sistemit gjyqësor iranian, ka deklaruar se dhënia e çdo informacioni Shteteve të Bashkuara ose Izraelit mund të çojë në dënimin me vdekje.

Sipas një ligji të rishikuar për spiunazhin, miratuar në tetor të vitit të kaluar, dërgimi i një fotoje ose videoje drejtuar “qeverive armike” dënohet me konfiskimin e të gjitha pasurive dhe me vdekje, ka sqaruar Jahangir në një deklaratë të transmetuar nga mediat iraniane.

“Kur bëhen foto të zonave të shkatërruara, armiku informohet se objektivi është identifikuar saktë”, ka thënë Jahangir, duke shtuar se “dhënia e një informacioni të tillë armikut është e barabartë me bashkëpunimin me armikun në fushën e inteligjencës”.

Më parë, autoritetet iraniane kanë arrestuar dy persona të akuzuar për dërgimin e informacioneve në Shtetet e Bashkuara dhe Izrael, dhe kanë ekzekutuar dy të tjerë të dyshuar për përfshirje në aktivitete të opozitës.

Scroll to Top