Rritja e çmimit të naftës, Ministri Karakaçi: Po diskutohet subvencionimi i transportit urban
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, bëri të ditur sot se po shqyrtohet mundësia për të subvencionuar sektorin e transportit urban, për shkak të rritjes së çmimit të karburanteve.
Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së qeverisë, Karakaçi informoi se ka zhvilluar një takim me ministren e Ekonomisë dhe me përfaqësues të shoqatave të transportit interurban dhe urban.
“Qeveria ka njoftuar disa plane masash, së pari, me ngritjen e Bordit të Transparencës dhe një nismë tjetër sa i përket akcizës së naftës, pas një çmimi të caktuar. Ky element po diskutohet sërish, pavarësisht se jemi ende në fillime. Kur e kemi miratuar në vitin 2022, çmimi ishte rritur shumë më tepër sesa është aktualisht. Por ky është një nga elementët që ne po i marrim në konsideratë, bashkë edhe me propozime të tjera që na ka bërë Shoqata e Transportit. Do të ulemi sërish me ta në ditët në vijim, pasi është një çështje që po e shqyrtojmë me vëmendje”, tha Karakaçi.