Bankat disbursuan rreth 182 mijë kredi vitin e kaluar
Sektori bankar ka kryer më shumë se 182 mijë disbursime kredish gjatë vitit të kaluar. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, numri i kredive të disbursuara pësoi një rënie prej rreth 4% krahasuar me një vit më parë.
Është e rëndësishme të theksohet se numri i disbursimeve nuk përkon domosdoshmërisht me numrin e kredive të dhëna, pasi në disa raste kreditë disburohen në pjesë të ndara (transhe). Shembuj të tillë janë kreditë për bizneset, por shpesh edhe kreditë për blerjen e pronave nga individët, sidomos kur bëhet fjalë për prona të blera para përfundimit të ndërtimit dhe kur disbursimi i kredisë ndjek ecurinë e projektit.
Ndikimin kryesor në rënien e numrit të disbursimeve të kredive e pati segmenti i individëve. Numri i kredive të dhëna për individët arriti në rreth 89 mijë, duke shënuar një rënie prej 25% krahasuar me vitin 2024. Megjithatë, shuma totale e kredive të disbursuara për individët arriti në 106 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej rreth 15%. Kjo rritje e shumës, përkundrejt një numri më të ulët kredish, sugjeron se vlerat mesatare të kredive të dhëna kanë qenë ndjeshëm më të larta gjatë vitit 2025. Kjo mund t’i atribuohet ekspozimeve më të mëdha në segmentin e kredisë për blerjen e banesave, por edhe rritjes së ndjeshme të shumës mesatare të kredive konsumatorë. Si pasojë e masave kufizuese për kreditë e shtëpisë, bankat kanë reaguar duke rritur nivelet maksimale të kredive konsumatorë të pasiguruara me kolateral.
Në numër, kreditë për individët përbëjnë rreth 49% të totalit, ndërsa në vlerë zënë rreth 34%.
Rritja më e madhe e numrit të kredive u regjistrua në segmentin e biznesit. Numri i kredive të disbursuara për bizneset vitin e kaluar arriti në pothuajse 93 mijë, me një rritje prej 26% krahasuar me një vit më parë. Kreditë e biznesit përbënin pak më shumë se 51% të numrit total të kredive të disbursuara, nga 39% që zinin një vit më parë. Vlera totale e disbursimeve të kredive për bizneset ishte afërsisht 207 miliardë lekë, duke shënuar një rënie prej 2% krahasuar me vitin paraardhës. Ndryshe nga individët, në rastin e bizneseve bankat kanë dhënë më shumë kredi, por për një vlerë mesatare më të vogël.
Statistikat e Bankës së Shqipërisë ofrojnë gjithashtu të dhëna mbi ecurinë e pagesave të kredive. Vitin e kaluar, bizneset kryen 365 mijë pagesa këstesh kredie, mesatarisht rreth 30 mijë pagesa në muaj. Ky numër u rrit me 13% krahasuar me një vit më parë. Numri i pagesave jep një informacion orientues për numrin e kredive aktive dhe rregullsinë e shlyerjes së tyre, duke marrë parasysh që struktura e shlyerjes së kredive të biznesit jo gjithmonë është e njëjtë me atë të individëve, ku zakonisht pagesat kryhen mujore.
Individët vitin e kaluar kryen afërsisht 2.17 milionë pagesa këstesh kredie, mesatarisht rreth 180 mijë pagesa në muaj.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, raporti i kredive me probleme vitin e kaluar zbriti në 3.8%, nga 4.17% që kishte qenë një vit më parë. Ky tregues ka arritur nivelin më të ulët që prej shtatorit të vitit 2008.
