Izraeli godet ura dhe hekurudha në Iran, mediat iraniane: Kanalet diplomatike midis Teheranit dhe Uashingtonit nuk janë mbyllur
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka konfirmuar se avionë luftarakë izraelitë kanë goditur ura dhe hekurudha në Iran. Sipas kryeministrit izraelit, Garda Revolucionare e Iranit po i përdorte këto infrastruktura për të transportuar materiale për prodhimin e armëve. Netanyahu deklaroi se i miratoi sulmet së bashku me ministrin e mbrojtjes, Israel Katz, duke theksuar se ato nuk synonin civilët iranianë, por qeverinë.
“Ky nuk është më i njëjti Iran, as i njëjti Izrael. Ne po ndryshojmë balancën e fuqisë nga njëri skaj në tjetrin,” tha Netanyahu.
Më herët gjatë ditës, Izraeli u kishte bërë thirrje iranianëve të qëndronin larg trenave dhe hekurudhave. Ushtria izraelite (IDF) deklaroi se kishte shënjestruar tetë seksione urash dhe rrugësh që, sipas tyre, Irani i përdorte për transportimin e armëve dhe pajisjeve ushtarake.
Autoritetet iraniane njoftuan se një seri sulmesh ajrore shkatërruan një urë hekurudhore në Kashan, një stacion treni në Mashhad dhe një urë autostrade pranë Tabrizit.
Raportet në mediat iraniane hodhën poshtë sugjerimet se Teherani ka ndërprerë ose kufizuar kanalet e tij diplomatike me Uashingtonin. Sipas informacioneve të fundit nga mediat iraniane, kanalet diplomatike, si ato direkte ashtu edhe ato indirekte, nuk janë mbyllur.
