SPAK kreu kontroll për aparate telefonike në qelitë e Veliajt dhe Beqajt
Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka zhvilluar një operacion kontrolli gjatë ditës së djeshme në ambientet e burgut të Durrësit. Sipas burimeve, fokusi kryesor ka qenë gjetja e aparateve telefonike në qelitë e personave të ndaluar.
Kontrollet janë ushtruar konkretisht në qelitë ku aktualisht janë të strehuar Ilir Beqaj, Erion Veliaj dhe Aurel Zarka. Përveç kërkimit për sende të ndaluara, prokurorët e posaçëm i kanë kërkuar policisë së burgjeve edhe listën e plotë të personave që kanë vizituar kryebashkiakun e Tiranës gjatë kohës së qëndrimit në izolim.
Ky veprim i prokurorisë vjen pas tensioneve të fundit në procesin gjyqësor administrativ, ku Veliaj ka ngritur akuza publike lidhur me ligjshmërinë e emërimit në detyrë të një prej prokurorëve të përfshirë në çështje.
