Rama: Historia do të na dënojë nëse dështojmë me BE
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se “Historia nuk do të na e falë nëse nuk e çojmë Shqipërinë në BE”. Këto deklarata janë bërë nga Asambleja e Partisë Socialiste të Lezhës, ku Rama ka paraqitur edhe një kalendar ambicioz drejt integrimit evropian, duke shprehur bindjen se anëtarësimi i vendit në Bashkimin Evropian do të realizohet brenda vitit 2030.
Ai ka nënvizuar se “Qeveria shqiptare ka një marrëveshje për një kalendar pune me Komisionin Europian, për mbylljen e procesit të negociatave brenda vitit 2027”. Megjithatë, ai ka pranuar se sot ka pasur indikacione nga zyrtarë të BE-së për rezerva të lidhura me funksionimin e shtetit të së drejtës, pavarësinë e institucioneve dhe akuzat për ndërhyrje politike në sistemin e drejtësisë, të cilat pengojnë mbylljen e kapitujve për Shqipërinë.
“Kur unë thoja që do integrohemi në BE brenda vitit 2030, të gjithë thoshin ‘është gënjeshtër’. Në fakt ishte një marrëveshje me Komisionin Europian për të ekzekutuar një kalendar pune dhe për të kryer detyrat e shtëpisë ne si Shqipëri me një ambicie të madhe dhe plan ambicioz që përfundon në vitin 2027,” tha ai.
Rama shpjegoi më tej se pas përfundimit të negociatave me Komisionin në vitin 2027, mbetet kohë rreth dy vjet për marrjen e miratimeve në Parlamentet e vendeve anëtare, duke e çuar datën e anëtarësimit në 2030. Ai theksoi se Shqipëria ka hapur të gjitha kapitujt e negociatave në kohë rekord, falë punës së saj dhe vullnetit të partnerëve evropianë.
Kryeministri sqaroi gjithashtu se anëtarësimi kërkon unanimitet nga të gjitha 27 vendet anëtare. “Nëse vetëm një vend thotë ‘jo’, atëherë integrimi në BE është i pamundur,” u shpreh ai.
Megjithatë, kohët e fundit, nëntë vende anëtare kanë shprehur rezerva, duke ngritur shqetësime për çështje të ndryshme që vënë në pikëpyetje avancimin e Shqipërisë në negociata. Në takimin e 1 prillit të grupit të COELA, përfaqësues nga Gjermania, Luksemburgu, Holanda, Suedia, Austria, Finlanda, Polonia, Greqia dhe Bullgaria shprehën rezerva lidhur me reformat në Shqipëri. Arsyet e dhëna nga këto vende kanë qenë të ndryshme, duke përfshirë klimën e biznesit, të drejtat e pronësisë, pakicat kombëtare dhe çështje konkrete si IPARD.
Pavarësisht këtyre sfidave, Rama mbetet optimist publikisht. Ai përfundoi duke thënë: “Na është dhënë mundësia që me duart tona ta marrim Shqipërinë dhe ta çojmë te dhoma e pritjes së BE-së, për ta bërë anëtare të barabartë të asaj familje. Historia s’ka për ta harruar nëse ne e realizojmë dhe s’ka për të na e falur nëse ne nuk e realizojmë.”
