Aksident i rëndë në Itali: 1 shqiptare vdekur, 2 plagosur rëndë

Aksident i rëndë në Itali, humb jetën një shqiptare, plagosen rëndë bashkëshorti dhe motra

Një 62-vjeçare shqiptare ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti të dhunshëm të ndodhur në Itali. Bashkëshorti dhe motra e saj kanë pësuar lëndime të rënda dhe ndodhen në gjendje kritike në spital. Për fat të mirë, një fëmijë 10-vjeçar, i cili udhëtonte me ta, ka shpëtuar me lëndime të lehta.

Viktima është identifikuar si Merita Qemali. Ngjarja ka ndodhur mesnatën e datës 7 prill, në Autostradën A14, në zonën e Chiaravalle. Familja po udhëtonte me një automjet “Ford” drejt Chiaravalle, duke u kthyer nga pushimet e Pashkëve në Siçili. Bashkë me Merita Qemalin, në makinë ndodheshin bashkëshorti i saj 49-vjeçar, djali i tij 10-vjeçar dhe motra e saj 47-vjeçare.

Automjeti i tyre u përplas me një kamion në tunelin Montedomini, mes daljeve Ancona Sud dhe Ancona Nord, pak para daljeve për Castelferretti dhe Chiaravalle. Mediat italiane raportojnë se familja ishte vetëm pak minuta larg destinacionit të tyre kur ndodhi aksidenti. Kamioni, drejtuar nga një shtetase rumune, lëvizte me shpejtësi të ulët për shkak të një gome të shfryrë.

Dy nga pasagjerët e automjetit “Ford” mbetën të bllokuar brenda dhe u nxorrën nga forcat zjarrfikëse. Bashkëshorti 49-vjeçar i viktimës iu nënshtrua një operacioni në spitalin e Torrette dhe ndodhet në gjendje kritike. Motra e Merita Qemalit është gjithashtu operuar dhe mbetet në gjendje të rëndë. Fëmija 10-vjeçar, i cili udhëtonte në sediljen e pasme, është jashtë rrezikut për jetën.

Autoritetet po hetojnë rrethanat e aksidentit. Mbetet ende e paqartë nëse kamioni kishte dritat e ndezura apo nëse duhet të ishte ndalur në mënyrë të sigurt para hyrjes në tunel. Merita Qemali udhëtonte si pasagjere, ndërsa bashkëshorti i saj, nga Senigallia, ishte drejtuesi i mjetit. Ajo humbi jetën disa orë më pas në spital.

Përplasja mes dy automjeteve ishte aq e fortë sa pjesa e përparme e makinës “Ford” ishte pothuajse e shkatërruar. Burri 49-vjeçar ishte pas timonit, ndërsa gruaja 47-vjeçare ishte në sediljen e pasagjerit përballë tij. Në sediljen e pasme, përveç djalit 10-vjeçar të shoferit, ndodhej edhe bashkëshortja e tij 62-vjeçare (Merita Qemali).

Në momentin e përplasjes, dy nga katër personat mbetën të bllokuar në rrënoja dhe u nxorën nga zjarrfikësit. Gjendja e gruas 62-vjeçare u cilësua menjëherë e rëndë dhe ajo u transportua në urgjencë me kod të kuq. Të tre personat e tjerë u shtruan gjithashtu në spital. Bashkëshorti 49-vjeçar u dërgua në sallën e operacionit në Torrette për lëndime dhe prognoza e tij është e kujdesshme. Kunata e tij, 47-vjeçare, iu nënshtrua gjithashtu një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe prognoza për të është gjithashtu e kujdesshme.

Djali 10-vjeçar, i cili u transferua në Spitalin Salesi për trauma të lehta, është në gjendje më pak të rëndë, jo kërcënuese për jetën dhe gjendja e tij është e qëndrueshme.

Policia e autostradës Fano ndërhyri për të hetuar ngjarjen. Automjeti “Ford” po udhëtonte në drejtim të veriut dhe kthehej nga Siçilia, i ngarkuar me bagazhe. Në makinë ndodhej edhe motra e Merita Qemalit, e cila punon si kujdestare në Emilia Romagna dhe me shumë mundësi po kthehej në shtëpi për punë pas festave.

Prokuroria ka hapur një çështje penale për vrasje me automjet dhe lëndime të rënda në trafikun rrugor. Automjetet e përfshira në aksident janë sekuestruar. Hetimet po vijojnë për të përcaktuar nëse kamioni kishte dritat e emergjencës ndezur për të treguar avarinë dhe nëse duhej të ishte ndalur në mënyrë të sigurt para se të hynte në tunel.

Scroll to Top