Balla ironizon opozitën: Dashnorët e rinj të integrimit

Balla ironizon opozitën: Ju jeni dashnorët më të rinj të integrimit

Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, gjatë fjalës së tij në seancën plenare në Kuvend, deklaroi se në Konferencën e Kryetarëve u diskutua detyrimi që ka Kuvendi, sapo Gjykata Kushtetuese të zbardhë vendimin e saj, pasi sipas tij, Kushtetuesja është në shkelje të vendimit të vet.

Duke iu përgjigjur kritikave të opozitës, Balla theksoi se në Konferencën e Kryetarëve nuk janë trajtuar diskutime për ndryshimin e rregulloreve të Kuvendit. Lidhur me mocionin me debat, ai u shpreh se qëndron në mendimin që duhej të diskutohej. Duke iu kthyer zonjës Tabaku, Balla sqaroi se mocioni për krimin e organizuar është mbajtur dhe realizuar.

“Për të qenë të vërtetë në ato që themi dhe nuk duhet të marrim përsipër të themi gjëra pasi kemi ikur nga salla. Zonja që sapo foli nuk ka qëndruar në mbledhjen e kryetarëve deri kur u ra dakord për kalendarin. Kur del në foltore, thuaj të vërteta. Për Gjykatën Kushtetuese kemi diskutuar që është në shkelje të ligjit të vet, pasi deri në 25 mars duhet të kishte zbardhur vendimin. Këtë kemi thënë dhe nuk kemi hyrë fare te pjesa e propozimeve të ndryshimeve të Rregullores. Kemi rënë dakord, zonja Tabaku, për kalendarin dhe është e papranueshme të thuash të kundërtën, kur nuk ke qenë as në sallë. Sa i përket mocionit me debat, jam dakord që duhej të ishte zhvilluar, por të mos harrojmë, se the këtu edhe për mocionin me debat për luftën ndaj krimit të organizuar, është mbajtur, zonja Tabaku.

Ju thoni që mazhoranca ju ka mohuar të drejtën që të sillni iniciativa ligjore, atë të miratimit të tyre. E ndjek me kërshëri Bundestagun gjerman, nuk di që mazhoranca të miratojë atë që propozohet nga opozita. Nuk ndodh. Edhe këtu kam një propozim publik. Jemi gati t’ju miratojmë edhe ju propozime, por jo me forcë e gërdufje. Fillimisht na i prezantoni, t’i diskutojmë e më pas i miratojmë.

Por sot, ju dashnorët më të rinj të integrimit, do ju jap faktin më domethënës: E kemi nisur legjislaturës në fund të shtatorit, prej asaj dite janë një sërë ligjesh që janë përafruar me legjislacionin e BE, 23 ligje, nuk gjendet një votë pro nga ju. Me variantin: o pranojeni, o ne… nuk ka. Nuk e bëjmë dot, me 83 mandate që na janë besuar më 11 maj, nuk i hamë presionet. Ju keni përjashtuar veten, nuk ju kemi përjashtuar ne”, tha ai.

Scroll to Top