Gjyqtarët rishikojnë masën e arrestit në burg

Kolegjet e Bashkuara mblidhen sot për të rishikuar praktikën mbi arrestin në burg.

Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë do të mblidhen sot në orën 09:30 për të shqyrtuar ndryshimin e praktikës aktuale lidhur me vendimmarrjen për masën e arrestit në burg, veçanërisht kur kjo masë vendoset duke u bazuar në rrezikshmërinë e veprës penale.

Do të rishikohet një vendim i mëparshëm i vitit 2011, që i përket rastit të Ilir Kumbaros dhe që ka shërbyer si orientim për gjyqtarët. Tre janë pikat kryesore që do të shqyrtohen.

Vendimi i Gjykatës së Lartë është nxitur nga qëndrimet e Gjykatës Evropiane të së Drejtave të Njeriut (Gjykatës së Strasburgut) në rastin e Thoma Gëllçit, ku u theksua se dyshimi i vetëm nuk mjafton kur hetimet zgjasin pa afat. Gjithashtu, janë marrë parasysh edhe dy raste të tjera dhe ndryshime ligjore.

Çështjet që shtrohen për shqyrtim para Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë janë:

* Në interpretim të neneve 228 dhe 230 të Kodit të Procedurës Penale (KPP), a është në përputhje me këto dispozita dhe me nenin 5 § 3 të Konventës Evropiane të së Drejtave të Njeriut (KEDNJ) qëndrimi sipas të cilit, kur kërkohet ose vendoset masa e “arrestit në burg”, gjykata nuk ka detyrim të analizojë realisht masat alternative dhe mjafton të arsyetojë se masa e zgjedhur është e përshtatshme për rastin konkret?
* Në interpretim të neneve 228 dhe 230 të KPP, a mund të nxirret “rrezikshmëria e veçantë e veprës dhe e të pandehurit”, si kriter për caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg” vetëm ose kryesisht nga natyra e veprës penale, nga rëndësia e saj e përgjithshme ose nga marzhi i dënimit, pa një vlerësim konkret dhe të individualizuar të rrethanave të rastit dhe të personit?
* Kujt i takon barra e justifikimit të nevojës për caktimin dhe vijimin e masës së “arrestit në burg” dhe a është në përputhje me nenin 5 § 3 të KEDNJ dhe me nenet 228-230 të KPP qëndrimi sipas të cilit papërshtatshmëria e kësaj mase mund të pranohet vetëm nëse i pandehuri paraqet prova pozitive?

Scroll to Top