Korreshi ironizon ministren Sala: Në Lushnjë s’ka pambuk e dorashka spitali
Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka drejtuar kritika dhe ironi ndaj Ministres së Shëndetësisë, Evis Sala. Ai ka theksuar se opozita prej kohësh ka kërkuar interpelancë me ministren, por kërkesa e tyre nuk është marrë parasysh.
“Edhe unë me ministren e Shëndetësisë, a është mirë ajo? Do pyetur nga shëndeti. Këto interpelancat tona nuk i keni futur në tenxhere për tu zierë, por a e di ajo që është ministre apo jo? Se nuk braktiset Kuvendi kështu. Po qe se nuk e dini ku është, ka emisione televizive, “Njerëz të Humbur”, ta kërkojnë në rrugët e Tiranës,” u shpreh Korreshi.
Ai shtoi se ministrja duket se nuk është e informuar për shtrenjtimin e ilaçeve dhe për punën që kryen. “Ilaçet nuk e dinte ajo që janë shtrenjtuar, por çfarë pune bën kjo?”
Deputeti ka theksuar nevojën që ministrja të informohet rreth situatës në spitalet shqiptare. Ai ka sjellë si shembull rastin e një pacienti që pret për 1 orë e 30 minuta për mungesë kardiologu.
“Unë nuk doja ta provoja te njerëzit e shtëpisë, por i thoni asaj ministres së Shëndetësisë se çfarë ndodh në spitalet shqiptare. A ka mundësi të rrijë 1 orë e 30 minuta një pacient se nuk ka kardiolog? A e dini që në Lushnje nuk ka pambuk, s’ka as dorashka…”
Korreshi ka ngritur pyetjen për përgjegjësitë dhe ka kritikuar kushtet në spitale, duke i krahasuar me trajtim në “stallë derrash”. Ai ka përmendur edhe çështjen e lejes së ndërtimit për zhvendosjen e spitalit.
“Kush mban përgjegjësi këtu? Të zhvendoset spitali dhe nuk del leja e ndërtimit. Përse duhet trajtohen njerëzit si në stallë derrash. Njoftojeni për rrogën të paktën që ka kaluar,” përfundoi ai.
