Bardhi akuzon maxhorancën për përjashtimin e opozitës nga procesi i integrimit
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike (PD), Gazmend Bardhi, ka akuzuar maxhorancën se po e përjashton opozitën nga procesi i integrimit. Këto deklarata vijnë si përgjigje ndaj deklaratave të bëra më herët në Kuvend nga deputeti socialist, Taulant Balla.
Bardhi theksoi se maxhoranca nuk mund të akuzojë opozitën se nuk i ka votuar ligjet që lidhen me integrimin, përderisa këto ligje mbahen të fshehta.
Ai sqaroi se opozita ende nuk është informuar rreth listës së nevojshme me ligjet për përafrimin me legjislacionin e Bashkimit Evropian, pavarësisht se kjo kërkesë është bërë disa herë.
“Për kërkesën që sapo hodhët në votim është në shkelje të rregullores së kuvendit. Rregullorja e kuvendit, neni 98, pika 2, ju detyron që të propozoni, kur nuk ka mirëkuptim, një datë që nuk mund të jetë kurrë më vonë se 30 ditë nga data e paraqitjes së mocionit. Unë nuk e di me matematikën tuaj si llogarisni 30 ditë me 5 muaj, sepse kërkesa jonë është e datës 5 nëntor. Ju vini me propozim që mocioni të zhvillohet në javën e parë apo të dytë të majit, në shkelje të rregullores.”
“Për të vijuar me listën që tundi kolegu, grupi i PD-së ka kërkuar listën e draftligjeve që ky Kuvend duhet të miratojë në kuadër të integrimit. Kanë kaluar 6 muaj dhe nuk jemi informuar se cilat janë ligjet e nevojshme në kuadër të procesit. E kemi kërkuar më shumë se 10 herë. Dhe vini këtu e tundni një listë, ju nuk keni votuar ligjet. Nga ta dimë se cilat janë ligjet ku jemi përjashtuar nga procesi? Na i jepni t’i dimë se cilat janë ligjet, ne nuk jemi këtu fasadë e juaj,” tha Bardhi.
