“`html
Madhësia e sektorit financiar ndaj ekonomisë u rrit për herë të parë pas katër vitesh në rënie
Madhësia e sektorit financiar në raport me ekonominë e vendit iu kthye rritjes në vitin 2025, pas katër vitesh radhazi në rënie. Mbështetur në vlerësimet e Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit të kaluar, tregjet financiare të mbikëqyrura prej saj dhe Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) kishin një vlerë totale aktivesh sa 97.2% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të vendit.
Krahasuar me vitin 2024, madhësia e sektorit financiar, në terma realë, është rritur me afërsisht 4.7 pikë përqindje. Megjithëse në vlerë absolute aktivet e sektorit financiar kanë shfaqur një ecuri pozitive në vitet e fundit, rritja me ritme relativisht të larta e Prodhimit të Brendshëm Bruto kishte bërë që pesha e tyre ndaj ekonomisë së vendit të pësonte rënie.
Pjesërisht, tkurrja e madhësisë në raport me PBB-në i detyrohet edhe efektit negativ të kursit të këmbimit. Mbiçmimi i vazhdueshëm i Lekut ka ulur vlerën statistikore të aseteve në valutë të huaj dhe ka dhënë një efekt negativ mbi vlerën e përgjithshme të aktiveve të sektorit. Por, në 2025, rritja është rikthyer, kryesisht falë rritjes së ndjeshme të sektorit bankar, që përbën edhe segmentin më të madh dhe më të rëndësishëm të tregut financiar në vend.
Pjesën kryesore në sektorin financiar e mban dukshëm sistemi bankar. Banka e Shqipërisë vlerësonte se asetet e sistemit në fund të 2025 kishin një vlerë sa rreth 87.5% e PBB-së së vendit, nga 83% një vit më parë. Sistemi bankar përbën aktualisht rreth 90% të madhësisë së sektorit financiar në vend. Në fund të 2025, aktivet e sektorit bankar kanë arritur vlerën totale të 2.33 trilionë lekëve, me një rritje prej 9.3% krahasuar me një vit më parë.
Kontribuesit e dytë më të mëdhenj në madhësinë e sektorit financiar janë institucionet financiare jobanka (IFJB) dhe shoqëritë e kursim-kreditit (SHKK). Në fund të 2025, këto institucione kishin një madhësi prej rreth 4.2% të PBB-së. Megjithatë, madhësia e tyre ndaj PBB-së ka rënë me 0.1 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë. Vlerësohet se efektin kryesor në këtë rënie e ka dhënë frenimi i sektorit të mikrofinancës, pas aplikimit të masave shtrënguese të vendosura nga Banka e Shqipërisë.
Fondet e pensionit dhe fondet e investimit në fund të vitit të kaluar përbënin 3.2% të PBB-së, në rritje nga niveli prej 2.9% i një viti më parë. Tregu i fondeve të investimit vijoi rimëkëmbjen gjatë 2025, ndërsa tregu i fondeve të pensionit shënoi një tjetër vit në rritje të qëndrueshme.
Shoqëritë e sigurimit në fund të 2025 kishin një vlerë sa rreth 2.4% e PBB-së së vendit, nga 2.2% që zotëronin një vit më parë.
Burimi: BSH
“`
