Shqipërisë i mungon infrastruktura dhe mjeku geriatër për të moshuarit, rekomandimet
Në Shqipëri, kushtet e jetesës për të moshuarit po bëhen gjithnjë e më sfiduese për shkak të mungesës së një infrastrukture të përshtatshme dhe shërbimeve të specializuara. Ndërkohë që popullsia po plaket gradualisht, institucionet publike dhe politikat sociale nuk po arrijnë të përmbushin nevojat reale të kësaj kategorie.
Një nga problemet më të dukshme mbetet infrastruktura e papërshtatshme në hapësirat publike. Rrugët dhe trotuaret në shumë qytete nuk ofrojnë kushte të sigurta për lëvizjen e të moshuarve. Mungesa e rampave, stolave për pushim, ndriçimit të mjaftueshëm dhe sinjalistikës e vështirëson ndjeshëm jetën e përditshme, sidomos për ata me probleme fizike apo shëndetësore.
Po aq shqetësuese është mungesa e qendrave të argëtimit dhe socializimit. Në pjesën më të madhe të vendit mungojnë hapësirat komunitare ku të moshuarit mund të kalojnë kohën, të ndërveprojnë dhe të shmangin izolimin social. Kjo ka çuar në rritjen e vetmisë dhe margjinalizimit, fenomene që po bëhen gjithnjë e më të pranishme.
Një problem thelbësor mbetet edhe sistemi shëndetësor, i cili nuk është i specializuar për nevojat e kësaj grupmoshe. Mungesa e mjekut geriatër është një nga boshllëqet më të mëdha. Kujdesi geriatrik është i domosdoshëm për trajtimin e sëmundjeve kronike, menaxhimin e shumë diagnozave njëkohësisht dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së të moshuarve. Pa këtë specialitet, shumë pacientë të moshuar trajtohen në mënyrë të përgjithshme, pa një qasje të personalizuar dhe gjithëpërfshirëse.
Sipas sociologut Gëzim Tushi, ndryshimet në strukturën e familjes shqiptare dhe rritja e individualizmit kanë dobësuar ndjeshëm rolin tradicional të familjes në kujdesin për të moshuarit. Ai thekson se mungesa e shërbimeve, përfshirë edhe mungesën e mjekëve geriatër, e përkeqëson situatën dhe rrit ndjenjën e pasigurisë tek kjo kategori.
“Në kuptimin biologjik, psikologjik, shëndetësor e financiar për arsye objektive “mosha e tretë” dhe sidomos “mosha e katërt”, ajo kur njeriu kalon kufirin e 85 vjetëve është e vështirë dhe e pafavorshme në të gjitha drejtimet, sidomos sa i përket plotësimit të nevojave jetike bazë. Në këto kushte është e nevojshme që kufizimet që vijnë për shkak të moshës duhet të plotësohen dhe kompensohen me forma komplementare të ndihmës në familje dhe formave alternative shtetërore e komunitare të shërbimit social. Padyshim arkitektura e kujdesit social për të moshuarit në shoqërinë shqiptare ka historinë e vet të lidhur me tipologjinë e kujdesit të vazhduar të familjes tradicionale të para viteve ‘90 ku përgjegjësia ishte ekskluzive dhe e integruar brenda familjes biologjike, në të cilën roli, prezenca, kujdesi dhe autoriteti i të moshuarve ka qenë në përputhje me natyrën e familjes tradicionale e shpesh edhe gerontokratike, me kujdes të përhershëm e të pakushtëzuar për të moshuarit e familjes. Ndryshimi që ka pësuar tipologjia e familjes, tranzicioni i kalimit nga familja tradicionale në atë modern, bërthamore ka sjellë jo vetëm ridimensionimin e formave dhe përmasave, por edhe të sasisë dhe cilësisë së kujdesit të familjes për të moshuarit. Kjo bashkë me fenomenin e emigracionit, prirjet individualiste ka krijuar një varg problemesh për jetën e të moshuarve, duke sjellë edhe dukuri të reja, pothuaj të panjohura më parë sikurse janë braktisja biologjike apo vetmia sociale. Këto janë plagë të thella sociale që po i përjetojnë të moshuarit në kohën e sotme”, pohon sociologu Tushi.
Në analizën e tij, Gëzim Tushi nënvizon nevojën për një qasje të integruar: investime në infrastrukturë, krijimin e qendrave komunitare, zgjerimin e shërbimeve në shtëpi dhe mbi të gjitha zhvillimin e shërbimit geriatrik si pjesë thelbësore e sistemit shëndetësor.
“Lehtësimi i problemeve dhe pasojave sociale të jetës dhe strukturës së familjes moderne kërkon kapërcimin apo lehtësimin e disa pengesave:
- Mbështetje financiare për pensionistët me të ardhura nën minimumin jetik që i penalizon ata për të pasur kushte normale jetese, për të plotësuar nevojat bazë e jetike material e shëndetësore.
- Situata e vetmisë (mendohet se me këtë status social janë rreth 31 mijë të moshuar) kërkon krijimin e Qendrave Ditore Komunitare të shoqërizimit të tyre.
- Zgjerimi i shërbimeve mobile, me ekipe multidisiplinare për t’u ofruar ndihmë dhe mbështetje material e emocionale të moshuarve që jetojnë të vetmuar (shërbime higjenike, gatim, kujdes shëndetësor, etj).
- Krijimi i Qendrave të asociacionit moshor, si kusht për të kaluar kohën nëpërmjet shoqërizimit moshor dhe aktiviteteve moshore të përbashkëta.
- Dinamizimi dhe shmangia e burokracive të kujdesit shëndetësor, e cila për të moshuarit duhet të “prodhojë” më shumë kujdes shëndetësor dhe më pak letra e zvarritje burokratike.
- Të bëhet detyruese për çdo bashki e lagje krijimi i ambienteve çlodhëse për t’u socializuar, shmangur izolimin social, kaluar kohën e lirë dhe sidomos për të ruajtur e mbrojtur shëndetin e tyre fizik e mendor të moshuarve.
- Më shumë kujdes mediatik për dinjitetin e të moshuarve, duke shmangur trajtimin e pakujdesshëm.
Kujdesi për të moshuarit nuk është i tepërt, përkundrazi është pjesë integrale e përgjegjësisë së familjes, shtetit dhe shoqërisë”, tha ndër të tjera zoti Tushi.
Po ashtu më herët edhe drejtues të Fakultetit të Mjekësisë në Shqipëri kanë paralajmëruar se rritja e numrit të të moshuarve do të përkthehet në një peshë gjithnjë e më të madhe për sistemin shëndetësor. Sipas tyre, vendi nuk është ende i përgatitur për këtë realitet demografik, sidomos për shkak të mungesës së specialiteteve të dedikuara. Një nga boshllëqet më të theksuara mbetet mungesa e mjekut specialist për moshat e treta, i njohur si geriatër. Ky profesion konsiderohet thelbësor për përballimin e problematikave komplekse shëndetësore që shoqërojnë plakjen e popullsisë.
Rekomandimet
Ka nevojë për një qasje të integruar: investime në infrastrukturë, krijimin e qendrave komunitare, zgjerimin e shërbimeve në shtëpi dhe mbi të gjitha zhvillimin e shërbimit geriatrik si pjesë thelbësore e sistemit shëndetësor.
Strategjia e moshimit, çfarë synohet deri në vitin 2030
Teksa sistemi i përkujdesit të të moshuarve, përfshirë atë publik dhe privat, përballet me sfida të shumta, që nga kapacitetet e ulëta të akomodimit, kostoja e lartë për familjarët, mungesa e politikave për zhvillimin e përkujdesit të të moshuarve sipas modeleve europiane, paralelisht qeveria premton rritje pensionesh dhe reformë të sistemit të sigurimeve shoqërore, në përpjekje për t’iu përgjigjur presionit demografik.
Në “Dokumentin Politik për Moshimin dhe të planit të veprimit 2025–2030”, qeveria shqiptare ka parashikuar një paketë masash për forcimin e pavarësisë financiare të të moshuarve në kuadër të Planit të ri të Veprimit 2025–2030 për moshimin. Objektivi kryesor është rritja e të ardhurave për pensionistët dhe garantimi i një jetese më dinjitoze për burrat dhe gratë e moshës së tretë, që pritet të sigurohet përmes rritjes së pensioneve, pension të 13-të dhe reformë të re në skemën e sigurimeve shoqërore.
Sipas dokumentit, do të rishikohet ligji nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, me qëllim përmirësimin e formulës së përllogaritjes së pensioneve dhe sigurimin e qëndrueshmërisë financiare të skemës. Reforma parashikon gjithashtu rritje graduale të moshës së daljes në pension për burra dhe gra. Një nga objektivat kryesore është rritja me 50% e pensionit mesatar gjatë periudhës së zbatimit të planit, si dhe përmirësimi i pensioneve më të ulëta përmes një formule indeksimi të diferencuar, që favorizon shtresat me të ardhura më të pakta. Po ashtu, parashikohet përfitimi i pensionit të 13-të për pensionistët. Në fokus mbetet edhe zgjerimi i pensionit social, me synimin për të dyfishuar numrin e përfituesve, i shoqëruar me fushata informuese për rritjen e ndërgjegjësimit.
Dokumenti vë në dukje se të moshuarit mbeten një nga grupet më të rrezikuara nga varfëria, ndërsa skema aktuale e pensioneve ndikohet ndjeshëm nga informaliteti dhe mosdeklarimi i plotë i pagave. Sipas të dhënave të fundit, arkëtimet në skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore mbeten nën potencialin e plotë.
Në kuadër të Planit të Veprimit 2025–2030 për moshimin, qeveria ka parashikuar masa të reja për të nxitur të moshuarit në moshë pensioni që të vijojnë të jenë aktivë në tregun e punës. Përmes Aktivitetit A.1.2, synohet ofrimi i stimujve financiarë për individët që, edhe pasi përfitojnë pension pleqërie, vazhdojnë të kontribuojnë në skemën e sigurimeve shoqërore si të punësuar në sektorin privat. Sipas dokumentit, kjo masë do të realizohet përmes përmirësimeve ligjore që do të mundësojnë përfitime më të mëdha financiare për pensionistët që vijojnë punësimin. Qëllimi është rritja e të ardhurave të tyre, forcimi i pavarësisë financiare dhe motivimi për të qëndruar aktivë në jetën ekonomike.
Dokumenti thekson se rritja e fuqisë blerëse të të moshuarve ka nxitur zhvillimin e së ashtuquajturi “ekonomi e argjendtë”, ku bizneset po përshtatin produktet dhe shërbimet për këtë grupmoshë, sidomos në sektorë si turizmi, koha e lirë, shërbimet e kujdesit dhe mallrat e personalizuara. Në këtë kuadër, moshimi i popullsisë shihet jo vetëm si sfidë sociale, por edhe si mundësi e re ekonomike.
Nga ana tjetër, dokumenti pranon se varfëria mes punonjësve të moshuar dhe diskriminimi për shkak të moshës në tregun e punës mbeten problematika që kërkojnë adresim. Për këtë arsye, politikat e reja synojnë të krijojnë një mjedis më gjithëpërfshirës dhe të drejtë për të moshuarit që zgjedhin të vazhdojnë punën pas daljes në pension.
Një tjetër element i rëndësishëm është mbledhja e praktikave pozitive dhe organizimi i dialogut publik çdo vit për të promovuar modele të suksesshme të punësimit të të moshuarve. Gjithashtu, do të nxiten kontributet në skemat e pensioneve private, me qëllim rritjen e të ardhurave në të ardhmen përmes një pensioni suplementar.
Ndër rezultatet e pritshme përfshihen politika aktive të tregut të punës për aktivizimin e të moshuarve, përditësimi i standardeve të punës, forcimi i sigurisë dhe shëndetit në punë, si dhe lufta kundër diskriminimit për shkak të moshës. Sa u përket treguesve konkretë, parashikohet:
- Rishikim i kornizës ligjore për ulje të tatimit mbi të ardhurat për të punësuarit në moshë pensioni.
- Bonuse për qëndrueshmëri dhe performancë.
- Mbështetje për pensione private.
- Fleksibilitet më i madh i orareve të punës.
Objektivi i vendosur është që të paktën 30,000 kontribuues në moshë pensioni të përfitojnë nga këta stimuj, ndërsa 300 subjekte private të krijojnë kushte të përshtatshme për punësimin e të moshuarve. Dialogu publik mbi praktikat pozitive do të organizohet çdo vit.
Dokumenti thekson se masat po ndërmerren në një kohë ku sipas Censit 2023, rreth 27.8% e popullsisë në Shqipëri është mbi 60 vjeç, duke e bërë çështjen e pavarësisë financiare të të moshuarve përparësi kombëtare.
