Varësia nga lojërat: Si ndikon te brezat e rinj?

Brezi i dopaminës: sfida për angazhimin në punë

Në një epokë ku ekonomitë moderne kërkojnë përqendrim, durim dhe aftësi për të krijuar vlerë afatgjatë, një pjesë e konsiderueshme e kohës së fëmijëve po zhvendoset drejt një bote që funksionon me parime të kundërta: shpërblim i menjëhershëm, stimul i vazhdueshëm dhe largim nga realiteti.

Videolojërat nuk janë më thjesht formë argëtimi. Për shumë fëmijë dhe adoleshentë, ato po bëhen një mjedis alternativ ku ndërtohet identiteti, marrëdhëniet dhe ndjenja e arritjes.

Sipas psikologes Anisa Zaçe, kufiri mes përdorimit të shëndetshëm dhe varësisë nuk përcaktohet nga numri i orëve të kaluara duke luajtur, por nga roli që loja merr në jetën e fëmijës. Kur loja fillon të zëvendësojë gjumin, shkollën dhe marrëdhëniet sociale, kur shoqërohet me izolim, irritim dhe mungesë kontrolli, atëherë kemi të bëjmë me një problem që tejkalon fushën e ekranit.

Në thelb, bëhet fjalë për një ndryshim në mënyrën se si funksionon motivimi dhe përjetimi i kënaqësisë, me pasoja që mund të shtrihen deri te mënyra se si ky brez do të punojë, do të përqendrohet dhe do të përballet me realitetin në të ardhmen.

Kur përdorimi i lartë i lojërave kalon nga “zakon i fortë” në varësi problematike? Cilat janë shenjat alarmante?

Shenjat alarmante lidhen gjithmonë me rolin që i jepet lojës në jetën e fëmijës. Pra, nëse fëmija i jep përparësi lojës para shkollës, gjumit ose kohës me miqtë. Këto shenja mund të vërehen te sjelljet izoluese, ndryshimet e humorit (shfaqen më agresivë, irritues të lehtë, mund të shfaqin edhe shenja ankthi). Gjithashtu, duhet vënë re nëse fëmija gënjen ose shmang të vërtetën kur pyetet për kohën e kaluar duke luajtur, pasi kjo tregon një mungesë kontrolli nga ana e tij për ta ndalur lojën.

A po shohim një rritje reale të rasteve të varësisë nga videolojërat te fëmijët dhe adoleshentët, apo thjesht një rritje të ndërgjegjësimit për fenomenin?

Mendoj se ka një rritje të dukshme të rasteve, sepse edhe vetë lojërat janë gjithnjë e më të dizenjuara për të krijuar varësi. Ato zakonisht krijohen me mekanizma bazuar në sistemin e shpërblimit të dopaminës. Dopamina është një mekanizëm thelbësor neurobiologjik në tru që rregullon motivimin, përforcimin dhe përjetimin e kënaqësisë. Ky sistem mbështetet te neurotransmetuesi dopaminë për të sinjalizuar vlerën e shpërblimeve dhe për të formësuar të nxënit dhe sjelljen e drejtuar nga qëllimi. Çrregullimi i këtij sistemi është një nga problemet që vërejmë në varësi, depresion dhe çrregullime të tjera psikiatrike.

Megjithatë, për shkak të teknologjisë së avancuar dhe vëmendjes që i kushtohet në shumë media, është rritur edhe ndërgjegjësimi i prindërve, duke i bërë ata më të kujdesshëm. Përdorimi i shtuar i lojërave ka sjellë gjithashtu edhe rritjen e varësisë ndaj lojërave si një diagnozë.

A ka dallim mes fëmijëve që përdorin lojërat si argëtim dhe atyre që i përdorin si mënyrë për të shmangur ankthin, stresin apo problemet sociale?

Siç e përmenda edhe më sipër, fëmijët që zhvillojnë varësi e përdorin lojën si një formë arratisjeje. Ata kanë vështirësi të shkëputen nga loja dhe nuk kanë interesa të tjerë përveç saj. Fëmijët që e përdorin lojën thjesht si argëtim, e njohin sensin e masës, mund të shkëputen më lehtësisht dhe nuk shfaqin irritim apo shenja ankthi kur largohen nga loja.

Nëse do ta shihnit këtë brez pas 10–15 vitesh, çfarë tiparesh mendoni se do të jenë më të theksuara tek ata që kanë pasur ekspozim të lartë ndaj gaming?

Nëse ky ekspozim ka qenë problematik, ka gjasa që ata të shfaqin probleme me varësitë, të kenë vështirësi të angazhohen në punë apo aktivitete që nuk ofrojnë një shpërblim të menjëhershëm, probleme të theksuara me vëmendjen dhe sigurisht një mungesë të dukshme të vetërregullimit emocional.

A rrezikojmë të kemi një brez që e ka më të vështirë të përshtatet me strukturën e punës, oraret dhe kërkesën për disiplinë të vazhdueshme?

Po, rrezikojmë. Këtë e vërejmë edhe te të rinjtë në fillim të të 20-ave. Bota e lojërave ofron shpërblim të vazhdueshëm dhe paraqet elemente vizuale tërheqëse, të cilat sjellin që të rinjtë të jenë të paaftë për të zhvilluar durim dhe tolerancë ndaj monotonisë së punës normale.

Gjithsesi, ndërhyrjet e hershme dhe marrja e masave mund të ndihmojnë shumë në menaxhimin e këtyre rreziqeve.

Scroll to Top