Rama: Lufta kundër korrupsionit ka arritur kulmin

Rama: Lufta kundër korrupsionit ka arritur kulmin, jo korrupsioni

Kryeministri Edi Rama, nga Vlora, ka hedhur poshtë akuzat për korrupsion ndaj qeverisë së tij, duke deklaruar se në Shqipëri nuk ka një rritje të korrupsionit, por lufta kundër këtij fenomeni ka arritur kulmin.

Sipas Ramës, kjo situatë lidhet me funksionimin e drejtësisë së pavarur dhe reformat e ndërmarra nga qeveria, siç janë rritja e pagave dhe pensioneve.

“Këta flasin mëngjes, drekë e darkë, korrupsioni korrupsioni dhe përsërisin që korrupsioni ka arritur kulmin, ndërkohë që jo, kulmin e ka arritur lufta kundër korrupsionit. Sepse nëse ka raste që bëhen objekt diskutimi publik për korrupsionin, kjo vjen si shkak i ekspozimit që i bën këtyre rasteve lufta ndaj korrupsionit. Nuk kemi pasur të tilla, po pse? Ngaqë nuk kishim korrupsion? Jo, por ngaqë s’kishim fare drejtësi të pavarur”, u shpreh Rama.

Ai shtoi se rritja e pagave dhe pensioneve nuk mund të shkojë paralelisht me rritjen e korrupsionit, pasi ky i fundit, për të u rritur, do të duhej të përfitonte fondet e destinuara për pagat dhe pensionet.

“Ata që e marrin popullin shqiptar për budallenj, gabojnë. Nuk shkojnë bashkë rritja e korrupsionit me rritjen e pozicionit të Shqipërisë në klasifikimin e bërë nga institucionet e BE për prokurimet”, theksoi kryeministri.

Scroll to Top