Rama në Vlorë: Projekti i Sazanit ka ndryshuar, do të ketë shumë pak ndërtime
Gjatë një takimi me operatorët turistikë në Vlorë, kryeministri Edi Rama deklaroi se “nuk e kemi shitur dhe nuk e shesim ishullin e Sazanit”. Kreu i qeverisë theksoi se projekti ka pësuar ndryshime, duke parashikuar më pak ndërtime dhe duke mos qenë më një resort i mbyllur.
Rama shtoi se projekti do të jetë ndër më të bukurat në Mesdhe dhe do të rrisë vlerën e gjithë zonës.
Ai sqaroi:
- “Nuk e kemi shitur dhe nuk e shesim ishullin, sepse Sazani është pronë e Republikës së Shqipërisë dhe do të mbetet e tillë.”
- “Nuk e kemi përfunduar negociatën për Sazanin, sepse Republika e Shqipërisë do të jetë pjesë e kompanisë së përbashkët që do të investojë dhe administrojë ishullin. Shqiptarët janë të përfaqësuar në këtë iniciativë.”
- “Nuk do të jetë një resort i mbyllur. Nuk do të bëhet rezervatë. Projekti i Sazanit ka ndryshuar si proces dhe si projekt ndërtimi.”
- “Do të ketë shumë pak ndërtime. Do të ketë profil kulturor, artistik.”
- “Është një nga projektet më të bukura në Mesdhe. Bashkë me pjesën përballë Sazanit, me arkitektët më të mëdhenj të botës, do të jetë një zhvillim që do t’i rrisë vlerën gjithë zonës.”
- “Ata që shohin ngushtë dhe flasin sikur po e marrin të huajt, nuk kanë si ta kuptojnë se çfarë impakti kanë zhvillime të tilla për gjithë pronën përreth.”
- “Do të rritet vlera dhe çmimi i gjithë investimeve që do të bëhen. Pa diskutim që kjo do të sjellë të mira për Vlorën.”
- “Është e rëndësishme që operatorët turistikë të jenë strategjikë për fatin e investimeve të tyre në 5 deri në 10 vitet e ardhshme.”
- “Investimi nuk duhet parë në vetvete, duhet bërë një strategji për të krijuar reputacion.”
