Hetim në Pallatin Élysée për kontrata publike

Francë/ Hetim për dhënien e kontratave publike për ceremonitë zyrtare! Policia gjyqësore kryen kontrolle në Pallatin Élysée

Policia gjyqësore franceze ka zhvilluar një ndërhyrje në Pallatin Élysée si pjesë e një hetimi mbi dhënien e kontratave publike të lidhura me organizimin e ceremonive në Panteonin e Parisit.

Të martën në mëngjes, disa hetues nga Brigada Financiare dhe Antikorrupsion (BFAC) e policisë gjyqësore të Parisit kanë hyrë në ambientet e presidencës franceze, në Rue du Faubourg-Saint-Honoré, në kuadër të verifikimeve mbi procedurat e prokurimit publik.

Hetimi lidhet me kontratat e dhëna kompanisë organizatore të eventeve “Shortcut Events”. Sipas raportimeve të mediave franceze, kjo kompani ka menaxhuar ceremonitë e varrimeve në Panteon për më shumë se dy dekada, përkatësisht nga viti 2002 deri në 2024.

Raportohet se kompania ka fituar në mënyrë të përsëritur kontrata për këto shërbime, me një kosto mesatare që përllogaritet të ketë arritur rreth dy milionë euro për çdo ceremoni.

Autoritetet franceze nuk kanë dhënë ende detaje zyrtare mbi hetimin, ndërsa Pallati Élysée nuk ka reaguar ndaj kërkesave për koment.

Kjo ndërhyrje shënon një nga rastet e rralla të kontrollit të drejtpërdrejtë në presidencën franceze në vitet e fundit. Bastisja e fundit e ngjashme daton në vitin 2018, në kuadër të hetimeve ndaj ish-zyrtarit Alexandre Benalla, lidhur me një incident të dhunshëm gjatë protestave në Paris.

Hetimet për kontratat publike pritet të vijojnë, ndërsa autoritetet franceze po analizojnë dokumentacionin e sekuestruar gjatë ndërhyrjes.

Scroll to Top