Lufta në Iran: Shtëpia e Bardhë mohon pretendimet për kërkesë për zgjatje armëpushimi; SHBA të angazhuara në bisedime
Shtëpia e Bardhë ka mohuar zyrtarisht se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar një zgjatje të armëpushimit me Iranin. Karoline Leavitt, gjatë një konference për shtyp, hodhi poshtë lajmet në të cilat pretendohej se SHBA kishte kërkuar një zgjatje të marrëveshjes.
“Pashë disa raportime, sërish raportime të pakonfirmuara, ku dukej sikur kishim kërkuar zyrtarisht një zgjatje të armëpushimit. Kjo nuk është e vërtetë,” deklaroi Leavitt. Ajo shtoi: “Ne mbetemi shumë të angazhuar në këto negociata, në këto bisedime. Këtë javë keni dëgjuar drejtpërdrejt nga nënkryetari JD Vance dhe nga presidenti se këto biseda janë produktive dhe të vazhdueshme.”
Leavitt theksoi se SHBA-të janë të përkushtuara dhe vlerësojnë rezultatet e arritura deri më tani. E pyetur nga një gazetar nëse raundi i dytë i mundshëm i bisedimeve me Iranin do të mbahej në kryeqytetin pakistanez, Islamabad, ajo u shpreh se negociatat “ka shumë të ngjarë të zhvillohen në të njëjtin vend siç ishin herën e fundit.”
