Masakra në Turqi: Babai flet për armët dhe lojërat e djalit

“Kishte probleme, po trajtohej me psikolog”/ Masakra në shkollën në Turqi, babai i autorit: Luante lojëra online me armë! E kisha çuar edhe në poligon, por…

Është bërë publike dëshmia e babait të 14-vjeçarit, autori i masakrës në një shkollë në Kahramanmaraş, Turqi. Uyyur Mersinli, babai i Isa Aras Mersinli, deklaroi se djali i tij po përjetonte probleme psikologjike dhe po merrte mbështetje profesionale. Vizita e fundit te një psikolog specialist kishte ndodhur rreth tre javë para ngjarjes.

Sipas tij, gjendja e të miturit ishte përkeqësuar kohët e fundit dhe trajtimi nuk kishte ecur mirë. Ai pranoi se armët e përdorura në sulm ishin të tijat dhe të regjistruara ligjërisht. Babai zotëronte shtatë armë, të cilat mbaheshin në një kuti të kyçur, së bashku me karikatorët.

“Kutia ishte gjithmonë e kyçur dhe djali im nuk e dinte se ku ishte çelësi. Sinqerisht nuk e di se si u hap dhe si mori pesë prej tyre,” u shpreh ai, duke shtuar se armët ndodheshin në dhomën e gjumit.

Sipas informacioneve paraprake, i riu kohët e fundit kishte luajtur lojëra online me armë dhe kishte shprehur interes të madh për to. Ai u kishte thënë miqve se i pëlqenin armët, ndërsa babai e kishte çuar edhe në një poligon qitjeje. Po ashtu, dyshohet se ai u kishte dërguar miqve një foto ku shfaqej me një pistoletë, duke pretenduar se ishte shumë i aftë në përdorimin e armëve.

Scroll to Top